Me një urdhër ekzekutiv të firmosur nga presidenti amerikan Donald Trump, Zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë është shpallur monument kombëtar. Masa synon të pengojë ndërhyrjet strukturore që presidentët pasardhës mund të kërkojnë të bëjnë në këtë hapësirë.
BBC raporton se dokumenti i jep këtë status zyrës zyrtare të presidentit të Shteteve të Bashkuara, të cilën Trump e ka rinovuar gjatë mandatit të tij.
Të lidhura
None found
Duke folur të enjten përpara gazetarëve, Trump tha se shpallja monument kombëtar do të nënkuptonte që askush të mos lejohej ta prekte, ta shkatërronte ose ta shembte zyrën për të ngritur në vend të saj diçka me formë disi të ndryshme. Ai kritikoi gjithashtu ata që mund të synonin ndërhyrje të kësaj natyre.
Megjithatë, presidentëve të ardhshëm nuk u hiqet mundësia për të ndryshuar pamjen e brendshme të Zyrës Ovale. Sipas urdhrit, ata mund të përshtatin arredimin, të zgjedhin mobiliet dhe të ndërmarrin punime të zakonshme për funksionimin apo sigurinë, me kusht që të mos cenojnë ndjeshëm strukturën historike ose tiparet arkitekturore të monumentit.
Ndonëse territori i Shtëpisë së Bardhë e ka tashmë statusin e Monumentit Historik Kombëtar, që synon mbrojtjen e ndërtesës nga ndryshimet e papritura, dokumenti kërkon një mbrojtje më vete për Zyrën Ovale. Ai njeh garancitë ligjore ekzistuese për Shtëpinë e Bardhë, por e cilëson zyrën një strukturë historike me rëndësi kombëtare, e cila meriton njohje dhe mbrojtje të posaçme.
Trump u shpreh se ai dhe të tjerët e pëlqejnë Zyrën Ovale, duke e cilësuar atë, njësoj si Shtëpinë e Bardhë, simbol të vendit dhe të madhështisë së tij.
Sipas presidentit, udhëheqësit botërorë që kanë qenë për vizitë në Shtëpinë e Bardhë muajt e fundit kanë shprehur vlerësim për ndërhyrjet dekorative që ai ka bërë në këtë ambient.
Ai argumentoi se, përpara punimeve të ndërmarra prej tij, si Shtëpia e Bardhë, ashtu edhe Zyra Ovale kishin nevojë për riparime. Në përshkrimin e gjendjes së mëparshme, të cilën e quajti shumë të dëmtuar, Trump përmendi xhama të thyer dhe çarje në mure.
Gjithsesi, një pjesë e madhe e ndërhyrjeve që bien më shumë në sy lidhen me estetikën. Mes tyre janë një pllakë e madhe e artë jashtë zyrës, ku shkruhet “Oval Office”, shtrimi me pllaka i Kopshtit të Trëndafilave dhe ngritja e një platforme të re për uljen e helikopterëve.
Shpallja e Zyrës Ovale monument kombëtar pason me disa muaj urdhrin e Trump për shembjen e të gjithë Krahut Lindor të Shtëpisë së Bardhë. Kjo ndërhyrje është pjesë e një projekti që ka hasur kundërshtime në rrugë ligjore.
Pa marrë miratimin e Kongresit amerikan, projekti vazhdon të zbatohet dhe përfshin ngritjen e një salle të re, e cila do të shërbejë për pritje dhe ceremoni.
Trump këmbënguli se, falë urdhrit të tij, askush nuk do të mund ta shkatërronte ndonjëherë këtë hapësirë. Ende nuk është e qartë, megjithatë, nëse një president pasardhës mund ta shfuqizojë vendimin apo nëse ai mund të kundërshtohet me sukses në rrugë ligjore.





