"Mish i bluar e suxhuk", parandalohen mallra të kontrabanduara në Ranillug - vlera mbi 10 mijë euro

Në kuadër të zbatimit të Planit Operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”, Njësiti i Task Forcës, i përbërë nga Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Kufirit – Jugu, në bashkëpunim me njësitet policore, bazuar në informacione operative, kanë ndërmarrë një aksion të shpejtë dhe të koordinuar në fshatin Korminjan, Komuna e Ranillugut.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se si rezultat i vëzhgimit intensiv dhe vendosjes së dy pritave policore, njësitet operative kanë arritur të identifikojnë dhe ndalojnë tre traktorë të tipit Rakovica, me rimorkio të improvizuara dhe pa targa regjistrimi, të cilët dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të kundërligjshme nga Serbia, përkatësisht nga drejtimi i fshatit Konçul, duke shfrytëzuar rrugë malore dhe alternative në drejtim të fshatit Korminjan.
"Gjatë operacionit janë ndaluar tre persona të dyshuar, të nacionalitetit serb dhe shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në kontrabandimin e mallrave përmes vijës kufitare. Gjatë kontrollit të detajuar të mjeteve janë zbuluar dhe sekuestruar mallrat si në vijim: 144 arka me birra të markave Heineken, Tuborg dhe Zaječarsko; 250 kilogramë mish i bluar; 2 thasë me suxhuk; 324 pula të gjalla; 2 printerë profesionalë; 2 pajisje të mëdha të rrjetit (switch) MikroTik; 5 pajisje të mesme të rrjetit (switch) MikroTik; 6 monitorë kompjuteri, 24 inç", thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se vlera e përgjithshme e tregut e mallrave të sekuestruara vlerësohet paraprakisht të jetë mbi 10,000 (dhjetë mijë) euro, ndërsa vlera përfundimtare do të përcaktohet nga autoritetet kompetente pas përfundimit të procedurave përkatëse të vlerësimit.
"Gjithashtu, në kuadër të operacionit janë ndaluar edhe tre traktorët dhe rimorkiot e përdorura për transportimin e mallrave të dyshuara si të kontrabanduara. Të gjitha veprimet operative dhe procedurale janë zhvilluar në koordinim të plotë me prokurorin kompetent, ndërsa rasti është duke u trajtuar dhe hetuar nga Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Rajonale të Kufirit – Jugu. Dogana dhe Policia e Kosovës mbeten të vendosura dhe të pakompromis në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, krimit ndërkufitar dhe çdo aktiviteti tjetër të kundërligjshëm që cenon sigurinë, rendin juridik dhe interesat ekonomike të Republikës së Kosovës". /Telegrafi/









































