Nga Eduard Zaloshnja
Në fund të muajit shtator, drejtova një sondazh në terrenin e Tiranës urbane, ku të anketuarve krejt të rastësishëm të 11 ish-minibashkive origjinale të Bashkisë Tiranë iu bënë plot 71 pyetje. Ndër to, kishte pyetje për vendlindjen e babait dhe të mamasë, si edhe për orgjinën fetare të familjes.
Nga përgjigjet e të anketuarve, rezultoi se prindërit e çerekut të tyre (25.4%) kishin vendlindje të përzjerë (opsionet e vendlindjes së prindërve në pyetësor ishin: zona Tiranë; zonat Durrës-Elbasan-Kavajë-Rrogozhinë; zonat e Veriut; zonat e Jugut; jashtë vendit).
Dhe ndoshta jo rastësisht, ky çerek i të anketuarve të lindur nga martesa të përziera krahinore ishte më i balancuari elektoralisht: rreth 36% votuan vjet për PS-në, rreth 28% nuk votuan fare, rreth 20% votuan për PD-ASHM, rreth 5% votuan për Partinë Mundësia, dhe kusuri votuan për partitë e tjera.
Pyetjes për origjinën fetare të familjes, plot 21% iu përgjigjën “E përzierë”. Dhe ndoshta jo rastësisht, këta të anketuar ishin ndër më të balancuarit elektoralisht: rreth 39% votuan vjet për PS-në, rreth 29% nuk votuan fare, rreth 21% votuan për PD-ASHM, rreth 4% votuan për Partinë Mundësia, dhe kusuri votuan për partitë e tjera.
Ndër të anketuarit me origjinë familjare puro bektashiane, plot 55% votuan vjet për PS-në (kuota më e lartë për këtë parti ndër të anketuarit). Nga ana tjetër, ndër të anketuarit me origjinë familjare puro katolike, plot 35% votuan vjet për PD-ASHM (kuota më e lartë për këtë subjekt elektoral ndër të anketuarit).
Ndër të anketuarit me origjinë familjare puro muslimane sunite ose puro të krishterë ortodokse, tabloja elektorale ishte e ndryshme nga më sipër: rreth 32% votuan vjet për PS-në, rreth 28% nuk votuan fare, rreth 28% votuan për PD-ASHM, rreth 4% votuan për Partinë Mundësia, dhe kusuri votuan për partitë e tjera.










