1.6 milionë lekë dhe 41 detektorë për të mbrojtur Kushtetuesen nga flakët
Gjykata Kushtetuese ka ndërmarrë një procedurë të re prokurimi për përmirësimin e sigurisë kundër zjarrit në godinën e saj në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Institucioni ka rishpallur tenderin me një fond limit prej më shumë se 1.6 milionë lekësh pa TVSH, për instalimin e një sistemi modern alarmi që do të mundësojë identifikimin e hershëm të rrezikut nga zjarri.
Sipas dokumentacionit teknik të procedurës, sistemi i kërkuar duhet të funksionojë përmes teknologjisë wireless, duke shmangur nevojën për instalimin e rrjeteve të reja kabllore në ambientet e institucionit. Kjo zgjidhje është konsideruar e përshtatshme për shkak të karakteristikave të godinës, pasi ndërhyrjet fizike për shtrirjen e kabllove mund të cenonin strukturën dhe estetikën e ambienteve të brendshme.
Një tjetër element i rëndësishëm i projektit lidhet me garantimin e funksionimit të sistemit edhe në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike. Për këtë arsye, në specifikimet teknike kërkohet një zgjidhje që siguron vazhdimësinë e sinjalizimit dhe mbrojtjen e ambienteve edhe në situata të tilla.
Në dokumentacion, godina e Gjykatës Kushtetuese cilësohet si një objekt me rëndësi kritike, ku siguria e jetës, mbrojtja e pronës publike dhe vijueshmëria e funksioneve institucionale kërkojnë standarde të larta teknike dhe masa parandaluese.
41 detektorë për arkivën, Sallën e Gjykimit dhe zyrën e Kryetarit
Sistemi i parashikuar në tender përfshin gjithsej 41 detektorë adresues wireless, të cilët do të vendosen në ambiente të ndryshme të godinës. Vëmendje e veçantë u është kushtuar hapësirave me rëndësi të posaçme institucionale dhe operacionale, ku përfshihen arkiva, Salla e Gjykimit dhe Zyra e Kryetarit.
Pajisjet e kërkuara janë të tipit multisensor, me funksionin e identifikimit të hershëm të shenjave të zjarrit dhe përcjelljes së sinjalit të alarmit. Gjithashtu, specifikimet parashikojnë që të gjitha pajisjet dhe pjesët e këmbimit të jenë të reja dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Procedura nuk kufizohet vetëm te instalimi i pajisjeve. Një prej kërkesave të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese është edhe trajnimi i punonjësve të institucionit për përdorimin e sistemit dhe mënyrën e reagimit në rast aktivizimi të alarmit.
Kështu, përmes këtij prokurimi me vlerë mbi 1.6 milionë lekë pa TVSH, Gjykata Kushtetuese synon të përforcojë masat e mbrojtjes nga zjarri në një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, duke përfshirë në sistem edhe ambientet ku zhvillohen proceset gjyqësore dhe administrohen dokumentet institucionale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



