
Një deklaratë e Kylian Mbappe për Mao Ce Dunin ka shkaktuar një polemikë të madhe në Kinë, duke vënë në vështirësi jo vetëm sulmuesin francez, por edhe Real Madridin dhe La Liga-n.
Gjithçka nisi pas një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku Mbappe e cilësonte Mao Ce Dunin si “diktator”. Komenti i tij, i bërë në margjinat e ceremonisë së ndarjes së çmimit “Topi i Artë”, ka shkaktuar reagime të shumta në Kinë, ndërsa profilet e futbollistit në rrjetet sociale janë bllokuar.
Pavarësisht polemikave, sulmuesi francez ka vijuar aktivitetin në fushën e lojës, duke luajtur dhe shënuar në ndeshjet ndaj Racing Santander dhe AEK Athinës. Megjithatë, situata jashtë fushës po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.
Sipas mediave spanjolle, La Liga ka nisur të shqyrtojë mënyrat për të mbrojtur marrëveshjet tregtare që lidhen me të drejtat televizive ndërkombëtare. Shqetësimi vjen pas vendimit të televizionit kinez CCTV për të pezulluar transmetimet e kampionatit spanjoll, një zhvillim që mund të ndikojë në interesat ekonomike të ligës.
Në këtë çështje është përfshirë edhe Real Madridi, i cili ka publikuar një komunikatë me tone ndjese, në përpjekje për të qetësuar tifozët aziatikë dhe për të zbutur reagimet pas deklaratës së lojtarit të tij.
Rasti ka marrë edhe dimension diplomatik. Ambasadori kinez në Spanjë, Yao Jing, deklaroi për agjencinë EFE se ka pasur komunikime joformale me drejtuesit e La Liga-s dhe të klubit madrilen.
“Nuk bëhet fjalë për negociata, por për shkëmbim pikëpamjesh, të bazuara në mirëkuptimin e ndërsjellë. Ky incident fatkeq ka prekur ndjeshmërinë e shumë njerëzve në Kinë, të cilëve u duhet kohë për ta përpunuar situatën”, u shpreh ambasadori.
Edhe zyrtari diplomatik Xie Tianyu theksoi se çështja kërkon kohë dhe kujdes, duke nënvizuar popullaritetin e madh që gëzon Real Madridi në Kinë.
