Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një biznesmen Italian në fushën e ndërtimit. Bëhet fjalë për Giovanni Battista Telesca i akuzuar për tre vepra penale, mashtrim, fshehje e të ardhurave dhe pastrim i produkteve të veprës penale. Organi i akuzës ka sekuestruar 10 milionë euro pasuri, ndërsa në gjyq është dërguar edhe kompania ‘Euro Beton 2005’ sh.p.k., e administruar nga shtetasi italian. Skema u zbulua pas kallëzimit të një biznesmeni dhe nga hetimet disa mujore rezultoi se italiani përmes kësaj kompanie ka përfituar lëndë të parë nga subjekte të ndryshme ekonomike, duke premtuar pagesa ose apartamente, e më pas duke mohuar furnizimet dhe detyrimet. Lëndët e para janë përdorur për prodhimin dhe shitjen e betonit. Dyshohet se furnizimet e pafiskalizuara dhe shitja e betonit kanë shërbyer për fshehjen e të ardhurave dhe ligjërimin e përfitimeve të paligjshme.