Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në Presidencë ambasadorin e ri të Izraelit në Shqipëri, Jonathan Peled Kaynar, i cili paraqiti Letrat Kredenciale dhe nisi zyrtarisht misionin e tij diplomatik në vendin tonë.
Gjatë ceremonisë, Kreu i Shtetit i uroi ambasadorit suksese në detyrën e re, ndërsa në takimin mes tyre u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Izraelit. Ky vit shënon 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e ekonomisë, teknologjisë, sigurisë, mbrojtjes kibernetike dhe turizmit.
Gjatë bisedës u nënvizua gjithashtu nevoja për rritjen e shkëmbimeve mes qytetarëve të të dy vendeve, si dhe për bashkëpunimin në promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit.
