Komisioni hetimor për rastin e Arlinda Zekës po mbahet me dyer të mbyllura
Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekës dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, ka vazhduar me dyer të mbyllura për media, pas kërkesës së deputetes së LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
Para mbylljes së mbledhjes për media, anëtarët e komisionit diskutuan për mos dërgimin e raporteve të kërkuara nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, të cilat kishin nxitur reagime dhe mospajtime mes deputetëve.
Në mbledhjen e parë të këtij komisioni ishte kërkuar që të dorëzoheshin raportet e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me veprimet institucionale në rastin e Arlinda Zekës. Megjithatë, këto dokumente nuk janë dorëzuar deri në mbledhjen e sotme.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se mosbashkëpunimi eventual i institucioneve duhet të trajtohet bashkërisht nga anëtarët e komisionit, duke theksuar se komunikimi zyrtar do të duhej të ishte i mjaftueshëm për sigurimin e dokumenteve të kërkuara.
Ajo kërkoi që vazhdimi i mbledhjes së komisionit të mbahet me dyer të mbyllura për media, pasi kishte pyetje edhe për anëtarët e tjerë të komisionit.
“Mendoj se mosbashkëpunimin eventual është mirë ta trajtojmë bashkë. Komunikimet joformale nuk jam shumë e bindur që munden të na kryejnë punë. Pajtohem që komunikimi zyrtarë është dashur të jetë i mjaftueshëm. Po dalim në plan të veprimit, po i trajtojmë çështjet, këto raporte janë në mesin e dëshmive që kemi me i kërkua, fatkeqësisht nuk na kanë dërgua, por në fazën që jemi duhet të insistojmë edhe njëherë që duhet ta tejkalojmë vetveten deri në pikën që me i pranua edhe disa dështime. Sapo të mbyllen dyert ne mundemi me i bë punët mirë. Unë kam edhe pyetje dhe hamendje të anëtarëve të tjerë, që do të doja ta bëja pa kamera, në mënyrë që të mbërrijmë në një pikë që të fillojmë punën pa shumë fjalë”, tha ajo.
Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, kritikoi mungesën e dokumenteve të kërkuara, duke thënë se kryeministri dhe ministrat përgjegjës kanë obligim t'u përgjigjen kërkesave të komisionit hetimor.
“Nëse ne nuk gjejmë vullnet për me bashkëpunua nga kryeministri dhe dy ministrat që janë në përgjegjësi direkte në përmirësimin e këtij sistemi, atëherë ne duhet ta marrim shumë seriozisht punën tonë. Nuk ka vullnet, por ne duhet t’i detyrojmë sepse e kanë obligim raportimin dhe çdo lloj kërkese e pyetje me u përgjigj. Kjo e vështirëson punën e komisionit”, tha Rrahmani.
Ai insistoi që komunikimi ndërmjet komisionit dhe institucioneve të zhvillohet vetëm përmes rrugëve zyrtare, duke kundërshtuar format e tjera të komunikimit të përmendura gjatë diskutimit.
“Adnani dhe kolegu tjetër po deklarojnë forma të tjera të komunikimit, nuk ka struktura paralele në qeveri, ka komunikim zyrtar dhe asnjë komunikim tjetër nuk duhet të ndodhë nga ky komision. Arsyeja pse Arlinda e ka vërtetuar që shteti ka qenë përgjegjës dhe ka dështuar në mbrojtjen e saj, është pikërisht se i ka respektuar dhe komunikimi ka qenë zyrtarë dhe institucional”, tha Rrahmani.
Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se raportet e kërkuara do të dorëzohen, ndërsa theksoi se kërkesa për këto dokumente ishte bërë në mbledhjen e parë, ende pa u hartuar plani i punës së komisionit.
“Raportet do të sillen. Kur kemi marrë vendimin në mbledhjen e parë ende pa e hartuar planin e punës dhe dokumenteve që do të kërkojmë, kemi bërë një përjashtim për t’i prurë ato dokumente që mund të na shërbejnë për planin e punës. Nuk e kam për qeverinë, do të kemi komunikime tjera ku thonë se ‘nuk më ka ardhur ftesa’. Nëse doni ta politizojmë, e politizojmë. Nuk po e arsyetojmë pse nuk kanë ardhur dokumentet”, tha Rrustemi.
Në rendin e ditës të mbledhjes së sotme është edhe miratimi i buxhetit për funksionimin e komisionit. /Telegrafi/





























