Zjarr masiv në Mamurras, flakët përfshijnë një magazinë
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në një magazinë pranë qytetit të Mamurrasit, duke përfshirë ambientet ku magazinoheshin sasi të konsiderueshme bimësh medicinale.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në hapësirat e brendshme të objektit, duke shkaktuar një situatë alarmante dhe duke vështirësuar ndërhyrjen për neutralizimin e vatrës së zjarrit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të Kurbinit, të cilat po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve dhe izolimin e zonës së përfshirë nga zjarri.
Ndërhyrja e zjarrfikësve është përqendruar edhe në parandalimin e përhapjes së flakëve në pjesë të tjera të magazinës apo në objektet përreth.
Deri në këto momente nuk ka informacion të konfirmuar për shkaqet e rënies së zjarrit, dëmet materiale apo persona të lënduar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



