Humbja e pushtetit në Serbi nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Aleksandar Vuçiqit mund ta ndryshojë mënyrën se si Beogradi ndikon në përfaqësimin politik të serbëve të Kosovës. Ky ndryshim, ndërkaq, mund t’i japë Prishtinës hapësirë për të nisur dialog me këtë komunitet.
Për më shumë se një dekadë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka dominuar përfaqësimin politik të këtij komunitetit me mbështetjen e autoriteteve në Beograd. Gjatë katër vjetëve të fundit, ndërkaq, Qeveria e Albin Kurtit ka bashkëpunuar vetëm me një parti të serbëve të Kosovës, Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, të udhëhequr nga Nenad Rashiq, aktualisht ministër për Komunitete dhe Kthim.
Që kur Vetëvendosje mori së pari pushtetin në vitin 2019, Kurti kishte thënë se synonte të zhvillonte një dialog të brendshëm me serbët e Kosovës. Në vitin 2022, Zyra e Kryeministrit kishte deklaruar se dialogu me serbët lokalë po zhvillohej, por se hollësitë nuk bëheshin publike për të shmangur ekspozimin e pjesëtarëve të komunitetit serb ndaj presioneve dhe kërcënimeve nga, siç i kishte cilësuar, “strukturat dhe grupet ilegale”.
Që atëherë, megjithatë, marrëdhëniet mes autoriteteve të Kosovës dhe qytetarëve serbë, sidomos atyre në veri, janë shoqëruar me tensione të përsëritura dhe me rritjen e mosbesimit ndaj institucioneve.
Vëzhguesit e zhvillimeve politike e shohin ndryshimin e pushtetit në Serbi si një mundësi që institucionet e Kosovës duhet ta shfrytëzojnë për të ndërtuar raporte më të drejtpërdrejta me komunitetin serb.
Çfarë e ka thelluar mosbesimin ndaj institucioneve të Kosovës?
Sipas Ilir Dedës, analist, Kosova është vonuar në vendosjen e komunikimit dhe në ndërtimin e mirëbesimit me qytetarët serbë, veçanërisht me ata në katër komunat veriore me shumicë serbe.
Ai kritikon mënyrën se si Prishtina i ka trajtuar raportet me këtë komunitet, duke i parë kryesisht nga prizmi i sigurisë.
“Nuk mund të jetë politika e një vendi e qëndrueshme në rast se një komunitet të tërë e shikon nga prizmi i sigurisë. Është non-sens”, thotë Deda për Radion Evropa e Lirë.
Protestat e dhunshme të vitit 2023 dhe sulmi në Banjskë e vunë sigurinë në qendër të vëmendjes në veri të Kosovës. Në këtë klimë, Qeveria e Kosovës ndërmori një sërë veprimesh për, siç thanë ata, shtrirjen e sovranitetin në veri, përfshirë mbylljen e institucioneve serbe dhe shembjen e ndërtimeve ilegale.
Sipas analistëve, kjo qasje e qeverisë së Kosovës dhe mungesa e transparencës e kanë rritur mosbesimin e serbëve ndaj autoriteteve të Kosovës.
Ognjen Gogiq, politolog serb, përmend disa raste konkrete që, sipas tij, kanë ndikuar në këtë mosbesim. Përveç shembjes së rreth 11 vilave e objekteve të tjera në brigjet e liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut, në korrik të këtij viti, ai përmend edhe arrestimet e serbëve të dyshuar për krime lufte.
Sipas tij, këto raste u kanë krijuar qytetarëve serbë përshtypjen se institucionet e Kosovës nuk i zbatojnë procedurat ligjore kur marrin vendime që i prekin ata. Për të ndërtuar mirëbesim, ai kërkon që autoritetet t’i respektojnë këto procedura dhe ta informojnë komunitetin për vendimet e tyre.
“Është e nevojshme që (autoritetet e Kosovës) maksimalisht t’u përmbahen ligjeve, si dhe së dyti, t’ua sqarojnë njerëzve, t’u japin më shumë informacion se çka po ndërmerret dhe pse”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.
Në këtë kontekst, Deda veçon çështjen e arsimit dhe të shëndetësisë. Vitin e kaluar, Kurti paralajmëroi se gjatë mandatit të ardhshëm Qeveria do të punonte për t’i integruar në sistemin e Kosovës institucionet arsimore dhe shëndetësore që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë. Kurti u zotua se në këtë proces do të bashkëpunonte me komunitetin serb, kryetarët e komunave dhe komunitetin ndërkombëtar.
Sipas Dedës, Prishtina duhet të shmangë veprimet e njëanshme për legalizimin e institucioneve në këto fusha dhe të sigurojë vazhdimësinë e shërbimeve për komunitetin serb.
“Ky proces do të jetë i gjatë dhe nuk do të jetë i lehtë, por duhet të garantojë ofrimin e pandërprerë të shërbimeve, të cilat i merr komuniteti serb në arsim dhe shëndetësi”, thotë Deda.
Ndërprerja e shërbimeve pas mbylljes së institucioneve paralele ishte një nga shqetësimet kryesore të serbëve në jug të Ibrit me të cilët kishte folur Radio Evropa e Lirë.
Megjithatë, analistët vlerësojnë se autoritetet e Kosovës kanë hapësirë për t’iu përgjigjur shqetësimeve të tyre.
Gogiq përmend Ligjin për të huajt, sipas të cilit banorët serbë pa shtetësi të Kosovës duhej të pajiseshin me lejeqëndrim për të qëndruar në vend më shumë se 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. Sipas tij, marrëveshja e arritur në mars 2026, pas takimit të Kurtit me emisarin e BE-së, Peter Sorensen, ndihmoi në zbutjen e shqetësimeve duke paraparë lejeqëndrime të përkohshme dhe një afat për regjistrim civil.
“Vullneti i mirë për respektimin e të drejtave duhet të tregohet me vepra. Kjo është më e rëndësishmja, sepse kështu arrihet besimi. Ja, shembulli me Ligjin për të huajt. Askush më nuk flet për të, sepse ishte shembull pozitiv i vullnetit të mirë”, thekson Gogiq.
Ministri Nenad Rashiq, ndërkaq, thotë se gjatë pjesëmarrjes së tij në Qeverinë Kurti janë ndërmarrë disa hapa në favor të komunitetit serb, por vlerëson se institucionet mund të bëjnë më shumë. Ai përmend verifikimin e diplomave dhe marrëveshjet në nivel lokal.
“Kemi pasur disa marrëveshje në nivel lokal, të cilët janë konstruktive për fuqizimin e serbëve. Por, të jem i sinqertë, ende nuk po shoh vendosmëri të fuqishme nga ana e Qeverisë, në këtë rast të Vetëvendosjes, që kjo mbështetje apo kjo hapje e dyerve të jetë në një shkallë më të lartë, pra, të jetë më shumë se që ka qenë deri tash”, thotë Rashiq për Radion Evropa e Lirë.
Nga t’ia nisë Prishtina?
Ministri Rashiq vlerëson se ndërtimi i besimit me këtë komunitet kërkon përmirësim të kushteve të përditshme të jetesës.
“Besimi ndërtohet duke investuar në gjërat praktike socio – ekonomike, në mënyrë që individëve t’u përmirësohet dhe lehtësohet jeta, që të kenë qasje më të mirë në infrastrukturë, në mundësitë ekonomike, përfitimeve sociale dhe të ngjashme”, thotë ai.
Rashiq përmend edhe Strategjinë për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komuniteteve, e cila ka si një nga katër pikat kyç përfaqësimin proporcional të komuniteteve joshqiptare në administratën publike. Sipas tij, kjo është një mundësi konkrete për integrim dhe punësim.
“Vlerësoj se aty ekziston hapësirë e gjerë për angazhimin potencial të joshqiptarëve në administratë dhe rrjedhimisht edhe në punësimin e rreth dy deri tre mijë njerëzve. Ky është numër i madh për komunitetet dhe nëse ky punësim do të ndodhte, ky do të ishte hapi më praktik që Qeveria do të mund ta bënte”, thotë ai.
Edhe Milija Bishevac, kryetar i Lëvizjes Popullore Serbe (SNP), një subjekt tjetër politik i serbëve të Kosovës me qendër në Zubin Potok, pret që ndryshimet në Serbi të ndikojnë në marrëdhëniet mes serbëve të Kosovës dhe Prishtinës zyrtare.
Ai konsideron se serbët e Kosovës ishin “viktima të qërimit të hesapeve politike ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
“Se institucionet janë shfrytëzuar për ato qëllime dhe jo si shërbime të vërteta për qytetarët, flet fakti që Lista Serbe u bëri thirrje njerëzve që t’i braktisin institucionet, ndërkaq Prishtina e shfrytëzoi për të krijuar një vakum politik”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në nëntor 2022, në kulmin e mosmarrëveshjes për targat e automjeteve, Lista Serbe vendosi të largohej nga Qeveria, Kuvendi dhe katër komunat veriore. Pas këtij vendimi, dorëheqje dhanë edhe pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës dhe punonjës serbë të gjyqësorit e të prokurorisë në veri.
Që atëherë, Lista Serbe është rikthyer në Kuvend dhe, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2025, ka rimarrë drejtimin e katër komunave veriore. Policët serbë nuk janë kthyer në detyrë, ndërsa Këshilli Gjyqësor hodhi poshtë kërkesën e gjyqtarëve të dorëhequr për t’u kthyer në punë.
Sipas Bishevacit, autoritetet e Kosovës duhet fillimisht të angazhohen për kthimin e serbëve në institucionet e rendit dhe të ligjit, si dhe në disa prej institucioneve të tjera publike nga të cilat janë larguar.
“Ka njerëz të rinj, të arsimuar. Mund të krijohet një dialog ndryshe, një pamje tjetër dhe ata njerëz të rinj të kyçen në institucione dhe në sjelljen e vendimeve që kanë të bëjnë me vetë ata”, thotë Bishevac duke shtuar se ky hap do të ndihmonte në ndërtimin e besimit mes institucioneve dhe komunitetit serb.
Artan Muhaxhiri e sheh si të domosdoshme që Qeveria e Kosovës të dëshmojë se mund të jetë partnere e besueshme për serbët e Kosovës. Sipas tij, ndryshimi i pushtetit në Serbi mund të ndikojë në marrëdhëniet e Prishtinës me këtë komunitet, i cili për më shumë se një dekadë ka qenë i lidhur ngushtë me sistemin politik të Aleksandar Vuçiqit.
“Ky është një rast i volitshëm për rritjen e integrimit të tyre të vullnetshëm në jetën institucionale, por edhe ndihmesë në largimin prej mitomanisë revizioniste dhe kthim të plotë në realitet”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, ky proces kërkon përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare në kuadër të dialogut, si dhe të Beogradit, të cilin ai e cilëson si “qendrën e tyre gravitacionale emocionale e identitare”. Sipas tij, ecuria e këtij procesi do të varet nga mënyra se si institucionet e Kosovës do të komunikojnë me komunitetin serb.
“Kualiteti i komunikimit të drejtpërdrejtë të institucioneve me serbët do ta orientojë edhe ecurinë e avancimit të raporteve, ose do të shkaktojë hendek të mëtejshëm”, thotë Muhaxhiri.
Radio Evropa e Lirë e pyeti Qeverinë e Kosovës nëse zhvillimet në Serbi do të shfrytëzohen për një qasje të re ndaj komunitetit serb, si dhe çfarë hapash planifikon për zgjerimin e komunikimit politik, rritjen e besimit dhe integrimin e këtij komuniteti, por nuk mori përgjigje.
Krahas ndryshimit të pushtetit në Serbi, Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins, sheh një mundësi të re për Kosovën edhe te fitorja e demokratëve në zgjedhjet për Kongresin amerikan.
“Kurti ka një mundësi të rrallë për të marrë iniciativën dhe për të propozuar politika të reja që do të përmirësonin marrëdhëniet si me serbët e Kosovës, ashtu edhe me Serbinë. Nga ana tjetër, nëse vazhdon me qasjen aktuale, Kosova do të përballet me presion dhe kritika më të mëdha”, thotë Joseph për REL-in.
Ndryshimet në skenën politike në Serbi ndërkaq kanë ngritur pikëpyetjen edhe nëse ato mund të krijojnë hapësirë për një përfaqësim më pluralist të serbëve në Kosovë.
A mund të zgjerohet përfaqësimi politik përtej Listës Serbe?
Qasja e Listës së Studentëve ndaj Listës Serbe mbetet e paqartë për shkak të deklaratave të ndryshme që kanë dhënë. Më 28 tetor, kandidati Vladan Kuzmanoviq i tha televizionit N1 se Lista Serbe duhet të punojë në interes të serbëve të Kosovës dhe jo të partisë së Vuçiqit. Një ditë më vonë, kandidati tjetër, Jugosllav Gashiq, i tha Radio Kim-it se nuk do të kishte bashkëpunim politik me Listën Serbe.
Megjithatë, Rashiq pret ndryshime në marrëdhëniet mes Beogradit dhe serbëve të Kosovës. Ai thotë se një pjesë e madhe e këtij komuniteti e ka pritur me lehtësim largimin e SNS-së nga pushteti në Serbi.
“Ndryshimi i parë dhe themelor është se – jam i sigurt – rreth 80 për qind e njerëzve janë lehtësuar dhe e kanë më të lehtë, pasi një sistem që ka qenë më së shumti diktatorial, i cili, përveç në Serbi, mbase ka ndikuar edhe më brutalisht ndaj serbëve të Kosovës, sepse i ka përdorur ekskluzivisht si mekanizëm për realizimin e interesave të veta”, thotë Rashiq.
Sipas tij, Beogradi i ka përdorur serbët e Kosovës në procesin e dialogut me Prishtinën dhe gjatë periudhave të tensioneve për të siguruar përfitime politike nga BE-ja.
“Thjeshtë përdorej terreni për të marrë poena politik për Beogradin, ndërkaq për serbët e Kosovës asgjë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Bishevac ndan mendimin e Rashiqit se pushteti i Vuçiqit në Beograd e ka përdorur komunitetin serb në Kosovë për qëllime politike. Ai thotë se fondet e destinuara për serbët e Kosovës janë përdorur për t’i detyruar dhe shantazhuar ata që të votonin për Listën Serbe.
“Konsideroj që pushteti i ri (në Serbi) – ndonëse ende nuk e dimë se çfarë do të jetë –mund të krijojë kushte për pluralizëm, në mënyrë që zëri i serbëve të Kosovës të dëgjohet. Deri më tash, serbët që jetojnë këtu nuk janë pyetur as për atë që është biseduar në Bruksel dhe as për vetë procesin e dialogut”, tha Bishevac.
Përfaqësuesit e këtij subjekti nuk iu përgjigjën përpjekjeve të Radios Evropa e Lirë për të marrë qëndrimin e tyre lidhur me raportet e ardhshme me Beogradin dhe autoritetet e Kosovës.
Megjithatë, në reagimin e tyre të parë pas zgjedhjeve në Serbi, Lista Serbe tha se “mbetet e përkushtuar ndaj politikës së ruajtjes së paqes, sigurisë, lidhjeve institucionale me Beogradin dhe mbrojtjes së secilit prej njerëzve tanë në Kosovë e Metohi”.
Sipas Muhaxhirit, Lista Serbe vazhdon të ketë ndikim të konsiderueshëm në institucione dhe roli i saj nuk mund të anashkalohet. Megjithatë, ai vlerëson se rrethanat e reja në Serbi krijojnë hapësirë që gradualisht të identifikohen aktorë të tjerë politikë brenda komunitetit serb në Kosovë.
Ai e sheh këtë si një proces afatgjatë që do të ndryshonte mënyrën se si përfaqësohen serbët e Kosovës, si dhe pritshmëritë e tyre ndaj përfaqësuesve që zgjedhin.
“Është e domosdoshme që të kontribuohet strategjikisht në ndërtimin e një klase të re politike të serbëve të Kosovës, të dobishme edhe për vetë serbët, edhe për jetën institucionale, pasi kësisoj njëkohësisht do të venitej ndikimi tejet negativ i Listës Serbe”, shton ai.
Rashiq, ndërkaq, pret që ndryshimet në Beograd t’u japin serbëve të Kosovës më shumë hapësirë për t’u angazhuar në politikën lokale dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje. Ai thotë se në mesazhet e përfaqësuesve të Listës së Studentëve sheh shenja se pushteti i ri mund të jetë i hapur ndaj një qasjeje të tillë.
Sipas Rashiqit, angazhimi më i madh në nivel lokal do t’u mundësonte serbëve të Kosovës të merrnin më shumë përgjegjësi për vendimet që i prekin dhe të kontribuonin në zgjidhjen e problemeve që zvarriten prej kohësh.
“Pa serbët e Kosovës asnjë zgjidhje nuk mund të jetë e qëndrueshme”, thotë Rashiq.
Edhe pse ndryshimi i pushtetit në Serbi mund të krijojë hapësirë për dialog, Deda argumenton se politika e Prishtinës ndaj komunitetit serb nuk duhet të varet nga zhvillimet në Beograd.
“Pavarësisht ndryshimeve apo qeverisjeve në Serbi, Kosova duhet ta ketë politikën e vet të mirëbesimit dhe të dialogut me serbët e Kosovës, që të marrë përgjegjësinë për aq sa mundet për zhvillimin dhe mirëqenien e popullatës serbe në Kosovë”, thotë Deda për Radion Evropa e Lirë./REL













