Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj: Edhe në Hënë po të duan të më internojnë, do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia


Erion Veliaj ka publikuar një video të krijuar me inteligjencë artificiale, përmes së cilës përcjell një mesazh nga burgu, ku ndodhet prej 20 muajsh në paraburgim.

Në reagimin e tij, Veliaj njofton miratimin e 15 projekteve të reja për çerdhe dhe kopshte në Tiranë, ndërsa pretendon se procesi ndaj tij është politik dhe se është përballur me një sërë veprimesh të paligjshme.

Në videon e publikuar, Veliaj rikthehet te arrestimi i tij, tentativat për shkarkimin nga detyra dhe transferimi nga një ambient paraburgimi në tjetrin.

Ai pretendon se është mbajtur në paraburgim në mënyrë të padrejtë dhe se është kërcënuar edhe pas transferimit.

“Pasi më rrëmbyen nga zyra e Kryetarit të Bashkisë me letra anonime, pasi tentuan të më shkarkonin nga detyra në mënyrë antikushtetuese, pasi e bënë çorbë menaxhimin e Tiranës, pasi më persekutojnë dhe më mbajnë në paraburgim politik prej 20 muajsh, në një ping-pong gjykatash, pasi më rrëmbyen për të më ndërruar birucën pa një shkresë të vetme dhe pasi më kërcënuan edhe aty, përsëri sot miratova projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës”, shprehet Veliaj.

Sipas tij, me miratimin e këtyre projekteve, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara ose të projektuara gjatë administrimit të tij arrin në 130.

Veliaj thekson se, pavarësisht rrethanave dhe vendndodhjes ku ndodhet, do të vijojë t’u qëndrojë besnik prioriteteve të tij.

“Jo në Durrës e Fier, por edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia”, deklaron ai.

15 projektet e miratuara përfshijnë çerdhe dhe kopshte në disa zona të Tiranës, mes tyre Don Bosko, Fresku, Kodra e Diellit, Liqeni i Thatë, Stacioni i Trenit, Tregu Elektrik, Fusha e Aviacionit, Dogana, Zogu i Zi, Yzberishti dhe Astiri. Projekte të tjera parashikohen në Petrelë dhe Dajt.