Kryesore

Shqiptarët kanë ikur/ Punëtorët e huaj në rritje, 25% më shumë kërkesa për leje qëndrimi në vitin 2025

16:55 - 06.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë një vend pritës i emigracionit, ndërsa bizneset shqiptare po mbështeten te fuqia punëtore e huaj për të përballuar mungesën e punonjësve. Në fund të vitit 2025, numri i shtetasve të huaj me leje të vlefshme qëndrimi arriti në 27,514 persona, me një rritje prej 25.4% krahasuar me vitin 2024. Ndërkohë, numri i rasteve të trajtuara për Leje Unike qëndrimi dhe pune arriti në 18,156, duke reflektuar kërkesën në rritje për punonjës të huaj, veçanërisht në turizëm, ndërtim, tregti dhe shërbime.

Të dhënat e siguruara nga ekofin.al pranë Ministrisë së Brendshme, tregojnë një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e tregut shqiptar të punës. Shqipëria, e cila historikisht ka qenë një vend emigracioni, po shndërrohet gradualisht edhe në një destinacion për shtetas të huaj që kërkojnë mundësi punësimi, apo qëndrimi afatgjatë.

Sipas të dhënave administrative të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, numri i shtetasve të huaj me leje të vlefshme qëndrimi është rritur nga 21,460 në vitin 2023, në 21,940 në vitin 2024 dhe më tej në 27,514 në fund të vitit 2025.

Kjo do të thotë se vetëm gjatë vitit të fundit numri i të huajve me leje qëndrimi është shtuar me 5,574 persona. Në fund të vitit 2025, shtetasit e huaj me leje qëndrimi përfaqësonin rreth 1.16% të popullsisë rezidente të Shqipërisë, kundrejt 0.92% në vitin 2024.

Kosova kryeson me mbi 6 mijë shtetas, rritet prania nga Azia
Për sa i përket origjinës, komuniteti më i madh i shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri përbëhet nga shtetasit e Kosovës, me 6,076 persona.

Në vendin e dytë renditen shtetasit italianë, me 3,776 persona, të ndjekur nga India me 2,399 shtetas, Filipinet me 2,213, Egjipti me 2,007 dhe Turqia me 1,862 persona.

Kjo strukturë tregon se prania e shtetasve të huaj nuk kufizohet më vetëm te vendet fqinje apo partnerët tradicionalë ekonomikë të Shqipërisë.

Veçanërisht domethënëse është prania e shtetasve nga India, Filipinet dhe Egjipti, të cilët së bashku numërojnë 6,619 persona me leje qëndrimi.

Rritja e pranisë së shtetasve nga këto vende lidhet edhe me orientimin e bizneseve shqiptare drejt tregjeve ndërkombëtare për rekrutimin e fuqisë punëtore, në kushtet kur emigracioni i shqiptarëve dhe mungesa e punonjësve në profesione të caktuara kanë krijuar vështirësi për një pjesë të sektorëve ekonomikë.

Mbi 18 mijë raste për Leje Unike, rritje e fortë e kërkesës për punonjës të huaj
Një tjetër tregues i rëndësishëm i intensifikimit të migracionit për qëllime punësimi është numri i rasteve të trajtuara për Leje Unike qëndrimi dhe pune.

Sipas të dhënave të raportuara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) dhe institucionet përgjegjëse për periudhën 2023–2025, numri i rasteve të trajtuara është rritur nga 9,825 në vitin 2023, në 11,224 në vitin 2024 dhe në 18,156 gjatë vitit 2025.

Vetëm krahasuar me vitin 2024, rritja arrin në rreth 61.8%, ndërsa në raport me vitin 2023 numri i rasteve është zgjeruar me rreth 84.8%.

Këto shifra tregojnë se kërkesa për punonjës të huaj është rritur ndjeshëm në një periudhë relativisht të shkurtër.

Rritja lidhet kryesisht me nevojat e bizneseve për punonjës në sektorë ku oferta vendase e fuqisë punëtore është e pamjaftueshme, por edhe me formalizimin dhe përmirësimin e procedurave administrative të punësimit të shtetasve të huaj.

Turizmi, ndërtimi dhe tregtia, sektorët që mbështeten te punonjësit e huaj
Analiza e shpërndarjes sektoriale të Lejeve Unike tregon se punësimi i shtetasve të huaj është përqendruar kryesisht në aktivitetet ekonomike që kërkojnë numër të lartë punonjësish dhe ku bizneset përballen me mungesa të vazhdueshme të fuqisë punëtore.

Sektori me numrin më të lartë të lejeve të miratuara është ai i aktiviteteve të tjera të shërbimit, me 3,210 punonjës, ose rreth 18% të totalit.

Në vendin e dytë renditet sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, me 2,789 leje të miratuara, ose rreth 15% të totalit.

Ky sektor lidhet drejtpërdrejt me industrinë e turizmit, e cila gjatë viteve të fundit ka zgjeruar kapacitetet akomoduese dhe aktivitetin ekonomik, duke rritur kërkesën për punonjës në hotele, restorante dhe struktura të tjera shërbimi.

Ndërtimi është sektori i tretë më i rëndësishëm, me 2,635 leje të miratuara, ose rreth 15% të totalit.

Një peshë të konsiderueshme zë edhe tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, ku janë miratuar 2,068 leje, ose rreth 11% e totalit.

Së bashku, këta katër sektorë përfaqësojnë 10,702 leje të miratuara, ose afërsisht 59% të rasteve të trajtuara për Leje Unike gjatë vitit 2025.

Tirana përqendron 43.8% të të huajve, Durrësi dhe Vlora ndër qarqet kryesore për punësim
Shpërndarja territoriale e shtetasve të huaj mbetet e përqendruar kryesisht në qarkun e Tiranës, ku jetojnë 43.8% e të gjithë personave me leje qëndrimi.

Tirana kryeson edhe për numrin e rasteve të trajtuara për Leje Unike gjatë vitit 2025, me 7,609 raste, nga 4,207 në vitin 2023.

Pas kryeqytetit renditet Durrësi, me 3,415 raste të trajtuara gjatë vitit 2025, duke regjistruar një rritje prej 78.9% krahasuar me një vit më parë.

Në vendin e tretë është Vlora, me 2,652 raste dhe një rritje prej 121.9%, duke reflektuar zgjerimin e aktivitetit turistik dhe kërkesën për punonjës në sektorët e lidhur me të.

Në qarqet e tjera evidentohen Fieri me 1,003 raste, Lezha me 872, Shkodra me 836 dhe Elbasani me 804 raste.

Ndërkohë, numra më të ulët regjistrohen në Gjirokastër me 299 raste, Korçë me 219, Berat me 189, Kukës me 187 dhe Dibër me 71 raste.

Vlora, Gjirokastra dhe Kukësi me ritmet më të larta të rritjes
Megjithëse Tirana dhe Durrësi dominojnë për nga numri absolut i rasteve, ritmet më të larta të rritjes së Lejeve Unike gjatë vitit 2025 janë regjistruar në disa qarqe të tjera.

Kukësi kryeson me një rritje prej 128% krahasuar me vitin 2024, i ndjekur nga Gjirokastra me 126.5%, Vlora me 121.9%, Lezha me 100.5% dhe Korça me 84%.

Edhe Elbasani ka regjistruar një rritje të konsiderueshme prej 83.6%, ndërsa Fieri ka shënuar një zgjerim prej 75%.

Këto zhvillime tregojnë se kërkesa për punonjës të huaj po shtrihet gradualisht edhe përtej qendrave tradicionale të aktivitetit ekonomik. / ekofin.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.