Vrasja e Diana Kastratit 15 vite më parë, Policia kërkon ndihmë për arrestimin e Adnon Jasharit Diana Kastrati

Vrasja e Diana Kastratit 15 vite më parë, Policia kërkon ndihmë për arrestimin e Adnon Jasharit

16:39, 06/11/2026

Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Adnon Jasharin, të akuzuarin për vrasjen e Diana Kastratit, 15 vite më parë.

Përmes një kërkese për bashkëpunim me qytetarët, Policia ka bërë të ditur se kërkimi po bëhet bazuar në urdhëresën e Gjykatës, lidhur me seancën e caktuar për 10 nëntor 2026, në gjykimin në mungesë.

Jashari kërkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Ndërkohë policia ka publikuar foton duke kërkuar ndihmë për arrestimin e tij duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë informacione për vendndodhjen e tij, t'i ndihmojnë në lokalizimin e tij.

Informacionet mund të dërgohen në adresën elektronike info@kosovopolice.com ose duke u paraqitur në stacionin më të afërt policor.

Vrasja e 2011

Diana Kastrati ishte 27 vjeçe kur u vra më 18 maj 2011, në Prishtinë.

Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo ishte qëlluar me armë zjarri në qafë, ndërsa i dyshuar për vrasjen ishte ish-partneri i saj, A.J., me të cilin kishte bashkëjetuar për më shumë se dhjetë vjet dhe kishte një vajzë.

Më 17 janar 2011, Diana kishte paraqitur padi për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore me A.J., për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes tyre, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2013.

Pas paraqitjes së padisë, ajo ishte zhvendosur bashkë me vajzën te prindërit e saj.

Më 26 prill të atij viti, për shkak të kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës, Diana iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë, duke kërkuar urdhër për mbrojtje emergjente.

Sipas ligjit në fuqi, gjykata duhej të vendoste për kërkesën brenda 24 orëve.

Por, kërkesa mbeti pa përgjigje.

Vetëm 22 ditë më vonë, Diana u vra.

Beteja e prindërve të Dianës

Mosveprimi i gjykatës u bë më pas objekt i një beteje të gjatë ligjore, të nisur nga prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, prindërit e Dianës vazhduan përpjekjet për të kërkuar përgjegjësi nga shteti.

Në nëntor të vitit 2013, Gëzim dhe Makfire Kastrati ngritën padi kundër institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar kompensim për dëmin jomaterial të shkaktuar nga vrasja e vajzës së tyre dhe mosveprimi i autoriteteve për ta mbrojtur.

Në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prizren vendosi që Republika e Kosovës t’u paguante prindërve të Dianës 95 mijë euro dëmshpërblim për vuajtjet shpirtërore.

Megjithatë, pas ankesës së Avokaturës Shtetërore, Gjykata e Apelit e uli shumën e dëmshpërblimit në 30 mijë euro në shkurt të vitit 2023.

Sipas vendimit të Apelit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës u detyruan ta paguanin këtë shumë në mënyrë solidare, shkruan REL.

Radio Evropa e Lirë shkruante pak ditë më parë se mbetet e paqartë se çfarë ka mundësuar ngritjen e aktakuzës pikërisht tani.

Sipas raportimeve të mëhershme, i akuzuari ndodhej në Spanjë dhe autoritetet kosovare kishin hasur në pengesa për ekstradimin e tij.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco