Një aksident tragjik me një autobus që transportonte fëmijë ka marrë jetën e dy personave në Francë, ndërsa 23 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Mes viktimave janë një vajzë 7-vjeçare dhe një 18-vjeçar, ndërsa tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike.
Aksidenti ndodhi mëngjesin e së premtes në zonën e Ain, në lindje të Francës, në rrugën D22, pranë qytetit të Lent. Autobusi doli nga rruga, u përplas me një pemë dhe përfundoi në një kanal. Në bord udhëtonin 49 persona, mes tyre rreth 15 nxënës.
Pas ngjarjes reagoi ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, i cili shprehu tronditjen për humbjen e jetëve dhe kërkoi ndjesë në emër të sektorit të transportit.
“Kërkoj ndjesë, në emër të të gjithë atyre që punojnë në sektorin e transportit, prindërve dhe familjarëve. Ne e përjetojmë këtë si një dështim”, deklaroi ministri.
Tabarot bëri të ditur se autobusi ishte në gjendje shumë të mirë teknike dhe se që nga viti 2024 kishte kaluar 106 kontrolle. Gjithashtu, analizat paraprake nuk kanë zbuluar gjurmë alkooli apo droge në gjakun e drejtuesit të mjetit.
Ndërkohë, disa pasagjerë kanë pretenduar se shoferi mund të jetë ndier keq gjatë udhëtimit. Ky version po shqyrtohet nga autoritetet, të cilat po hetojnë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
Edhe presidenti francez Emmanuel Macron shprehu ngushëllimet për viktimat dhe solidaritetin me familjet e tyre, ndërsa falënderoi ekipet e shpëtimit për ndërhyrjen në vendngjarje.


