Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka njoftuar se Kuvendi i Kryeqytetit ka votuar Rregulloren për rikthimin e “Prishtina Parking”.

Përmes një postimi në Facebook, Retkoceri ka bërë të ditur se rregullorja është votuar sot, pas propozimit të paraqitur në Kuvendin e Kryeqytetit.


Ai e ka cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm drejt organizimit më të mirë të qytetit, duke theksuar se parkimi është bërë një sfidë për banorët, bizneset dhe të gjithë ata që qarkullojnë çdo ditë në Prishtinë.

Sipas Retkocerit, rikthimi i “Prishtina Parking” synon të kontribuojë në rritjen e rendit dhe funksionalizimin më të mirë të hapësirave publike.

Ai ka falënderuar asamblistët për votimin e rregullores, duke theksuar se pas marrjes së vendimit, puna do të vazhdojë në drejtim të zbatimit të tij.