Mali i Zi mbyll edhe 2 kapituj me BE-në, synon përfundimin e negociatave deri në fund të vitit!

Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke e çuar në 23 numrin e kapitujve të mbyllur. Synimi është që dhjetë kapitujt e mbetur të mbyllen deri në fund të vitit 2026.
Vendimi u mor gjatë Konferencës Ndërqeveritare të zhvilluar në Bruksel, ku u mbyllën kapitulli 1, që lidhet me lëvizjen e lirë të mallrave, dhe kapitulli 12, për sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare, raporton Vijesti.
Komisioni Evropian ka prezantuar gjithashtu një plan sipas të cilit Mali i Zi mund t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti dhe të nënshkruajë Marrëveshjen e Anëtarësimit në qershor 2027. Sipas planit, gjatë nëntorit parashikohet mbyllja e pesë kapitujve, mes tyre ata që lidhen me energjinë, transportin dhe tatimet, ndërsa në dhjetor pritet të mbyllen kapitujt e tjerë, përfshirë kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
Komisioni Evropian vlerëson se Mali i Zi ka përmbushur kriteret përfundimtare dhe pritet t’i dorëzojë Këshillit të BE-së, deri në mesin e nëntorit, projektpozicionet e përbashkëta negociuese që kanë mbetur.
Pas përfundimit të negociatave, puna për Marrëveshjen e Anëtarësimit pritet të mbyllet në pranverën e vitit 2027. Nënshkrimi i saj është planifikuar për qershor, pas miratimit nga Parlamenti Evropian dhe vendimeve përkatëse të institucioneve të BE-së. Më pas, marrëveshja duhet të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare dhe nga Mali i Zi.
Megjithatë, Komisioni Evropian ka theksuar se këto afate janë orientuese dhe varen nga dakordësia e shteteve anëtare dhe vijimi i reformave. Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojë të monitorojë përmbushjen e detyrimeve deri në anëtarësim, duke lënë të hapur mundësinë e masave mbrojtëse apo edhe shtyrjes së anëtarësimit në rast se vendi shënon hapa pas në reforma.
Gjatë periudhës mes nënshkrimit të marrëveshjes dhe anëtarësimit të plotë, Mali i Zi parashikohet të përfshihet gradualisht në punën e institucioneve evropiane, përfshirë mundësinë e dërgimit të vëzhguesve në Parlamentin Evropian.
Ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Tomas Birn, deklaroi në Bruksel se presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së mbetet e angazhuar që Mali i Zi të mbyllë të gjithë kapitujt negociues deri në fund të vitit.
“Presidenca irlandeze mbetet e përkushtuar për arritjen e synimit që të gjithë kapitujt e Malit të Zi të mbyllen deri në fund të vitit. Do të punojmë së bashku me Malin e Zi, Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare për ta realizuar këtë synim”, tha ai.
Birn theksoi se vendi duhet të vijojë reformat, veçanërisht në sundimin e ligjit, pavarësinë dhe llogaridhënien e institucioneve, si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.




