Epidemia e fruthit në Shtetet e Bashkuara po merr përmasa shqetësuese, me mbi 5.182 raste të konfirmuara që nga fillimi i vitit 2026. Sipas të dhënave të përditësuara nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), infeksionet janë regjistruar në 45 shtete dhe në Uashington DC. Mes të prekurve janë edhe 18 persona që kanë vizituar SHBA-në nga vende të tjera.
Bilanci i viktimave ka arritur në tetë persona, gjashtë në Pensilvani, një në Nju Jork dhe një në Wisconsin. Mes viktimave janë edhe fëmijë, ndërsa autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar së fundmi tre vdekje të tjera, përfshirë një fëmijë në pjesën veriore të Nju Jorkut dhe një foshnjë në Wisconsin.
Të dhënat e CDC tregojnë se rreth 96% e rasteve janë regjistruar te persona të pavaksinuar ose me status vaksinimi të panjohur. Rreth 2% e të infektuarve kishin marrë vetëm një dozë të vaksinës MMR, ndërsa 2% kishin përfunduar të dyja dozat e rekomanduara. Gjithashtu, të paktën 11% e personave të prekur kanë pasur nevojë për shtrim në spital, me një numër të konsiderueshëm rastesh edhe te fëmijët nën pesë vjeç.
Autoritetet shëndetësore amerikane rekomandojnë dy doza të vaksinës MMR, ku e para merret në moshën 12–15 muajsh dhe e dyta në moshën 4–6 vjeç. Sipas CDC-së, një dozë ofron 93% mbrojtje ndaj fruthit, ndërsa dy doza e rrisin efektivitetin në 97%. Ndërkohë, mbulimi me vaksinim në kopshte ka rënë në 92.4% gjatë vitit shkollor 2025–2026, krahasuar me 95.2% para pandemisë së COVID-19.
