Autoritetet evropiane në gatishmëri pas kërcënimeve të rreme për bomba në avionë

6 Nëntor 2026 | 18:17

Një valë e re kërcënimesh të rreme për bomba në avionë ka shkaktuar shqetësim te autoritetet evropiane. Vetëm të premten, më 6 nëntor, janë regjistruar 11 incidente të tilla në vende të ndryshme të Evropës.

Komisioni Evropian po monitoron nga afër situatën, në bashkëpunim me organizatat përgjegjëse për sigurinë e aviacionit, me qëllim garantimin e sigurisë së pasagjerëve dhe ekuipazheve, si dhe vijimësinë normale të transportit ajror.

Komisioneri Evropian për Transportin dhe Turizmin e Qëndrueshëm, Apostolos Tzitzikostas, gjatë një vizite në ambientet e EUROCONTROL, bëri të ditur se shërbimet përkatëse mbeten në gatishmëri të plotë operacionale. Ai njoftoi gjithashtu se ishte zhvilluar një takim me pjesëmarrjen e Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit (EASA), për të vlerësuar të dhënat e fundit.

“Jam këtu sot, në EUROCONTROL, ku vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën e krijuar pas incidenteve të përsëritura të kërcënimeve të rreme me bomba në fluturimet evropiane. Deri më tani, sot janë regjistruar 11 incidente të reja në të gjithë Evropën”, deklaroi Tzitzikostas.

Ai theksoi se bashkëpunimi mes EUROCONTROL, EASA-s, aeroporteve, kompanive ajrore dhe autoriteteve kombëtare është i vazhdueshëm, për të reaguar menjëherë ndaj çdo incidenti që mund të ndikojë në sigurinë e fluturimeve.

Komisioneri vlerësoi gjithashtu profesionalizmin dhe qetësinë e pilotëve dhe ekuipazheve, të cilët janë të trajnuar për të menaxhuar situata emergjente.

Autoritetet evropiane vijojnë të shqyrtojnë informacionet e disponueshme, ndërsa për javën e ardhshme është planifikuar një tjetër takim në Bruksel, ku do të marrin pjesë ekspertë të sigurisë nga vendet anëtare. Në fokus do të jetë vlerësimi i situatës dhe shqyrtimi i masave të mundshme për t’iu përgjigjur kërcënimeve të përsëritura.

“Prioriteti ynë është i qartë: siguria e pasagjerëve dhe funksionimi i qetë i transportit ajror evropian”, përfundoi Tzitzikostas.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

BE paralajmëron se 2026-ta do të jetë viti i dyti më i nxehtë në histori

Bota është rrugës që viti 2026 të bëhet viti i dytë më i nxehtë në histori, teksa fenomeni klimatik El Ninjo po përshpejton ngrohjen globale,...
17:46 | 06/11/2026

BE akuzon TikTok-un për dështim në mbrojtjen e shëndetit mendor të përdoruesve

Komisioni Evropian akuzon TikTok-un për dështim në mbrojtjen e shëndetit mendor të përdoruesve duke i ekspozuar ata ndaj një rrjedhe të pandërprerë përmbajtjeje që rrezikon...
17:21 | 06/11/2026

Putin merr një mesazh sekret nga Khamenei

Shefi i Këshillit të Sigurisë së Iranit, Mohsen Rezaei, shkoi në Moskë për të përcjellë një mesazh personal nga Ajatollah Khamenei dhe për të diskutuar...
17:18 | 06/11/2026