Pas operacionit në mushkri, Papa Leoni nis turin 12-ditor në Amerikën e Jugut

Papa Leoni XIV është nisur këtë të premte në udhëtimin e tij të parë apostolik në Amerikën e Jugut, një tur 12-ditor që do të përfshijë Uruguain, Argjentinën dhe Perunë. Vizita vjen më pak se një muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e një tumori në mushkëri.
Papa 71-vjeçar pritet të vizitojë 10 qytete, të përshkojë rreth 31 mijë kilometra dhe të mbajë 36 fjalime gjatë qëndrimit në këto tri vende, deri më 17 nëntor. Sipas Reuters, në aktivitetet e tij pritet të marrin pjesë miliona besimtarë.
Vatikani ka bërë të ditur se Papa është rikuperuar plotësisht nga operacioni dhe se nuk parashikohen masa të veçanta mjekësore gjatë udhëtimit.
Leoni XIV, i cili ka lindur në Çikago të Shteteve të Bashkuara, ka një lidhje të veçantë me Perunë, ku kaloi disa dekada si misionar dhe më vonë shërbeu si ipeshkëv i Chiclayos. Ai gjithashtu mori shtetësinë peruane.
Zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, e cilësoi këtë udhëtim si një rikthim në vendet ku Papa ka kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës dhe me të cilat ruan lidhje të forta personale.
Gjatë vizitës, Ati i Shenjtë do të zhvillojë takime me drejtuesit politikë të tri vendeve, do të mbajë mesha në ambiente të hapura dhe do të vizitojë edhe një burg në Argjentinë. Në Peru, programi përfshin gjithashtu udhëtime me helikopter drejt komuniteteve të largëta në zonën e Andeve.
Në fjalimet e tij pritet të trajtojë çështje të rëndësishme për rajonin, si shkatërrimi i mjedisit, trafikimi i armëve dhe paqëndrueshmëria politike. Gjithashtu, Vatikani ka konfirmuar se Papa do të zhvillojë takime me persona që kanë mbijetuar nga abuzimet seksuale të kryera nga klerikë katolikë.
Sa i përket gjendjes shëndetësore, Papa u trajtua gjatë muajit tetor për adenokarcinomë të mushkërive, një formë e kancerit të mushkërive. Sipas mjekëve, sëmundja ishte e lokalizuar dhe nuk kërkohen trajtime të tjera.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



