Nga Jakin Marena
Kishte gati një vit që nëpër panelet televizive, korridoret e politikës opozitare, por dhe në biseda të lira mes njerëzve e në rrjetet sociale, vërtitej si një mjegullnajë shprehja: shihemi në tetor, atëherë do të ndodhë hataja!
“Kasandrat’ në panelet televizive, kishin marrë ‘kostumin’ e parashikimit të situatave politike, dhe duke marrë atë pozën konspirative për paralajmërime të tilla, kishin ngritur ‘sentimentin’ e opozitës sidomos, me pritshmërinë se, deri në tetor do të kishte përmbysje të mëdha politike!
Në fillim u mendua se janë këto parashikimet e bëra tashmë rutinë nëpër media se në shtator do të ketë arrestime të mëdha, apo dhe ‘zbarkim’ amerikan me apashë e komando për të rrëmbyer kreun e PS dhe të qeverisë Edi Rama dhe për ta syrgjynosur andej nga shkretëtirat e Nevadës! Nuk munguan fantazitë, duke hequr paralele me lajmet se, andej janë dukur dhe alienët, çka tregonte qartë dëshirën për ta dërguar në një planet tjetër kreun e qeverisë, Edi Rama!
Këtë tezë e kapi në ‘ajër’ sidomos opozita e drejtuar nga Sali Berisha, e cila këtë pritshmëri e shoqëronte me elementë të tjerë të rinj, që prezantoheshin nga mbështetësit e saj nëpër panelet televizive, se “Ramaduros i kishte ardhur fundi”, dhe se nuk i shpëtonte Amerikës së Trump!
Dhe këto përpjekje për ta paraqitur largimin e Ramës deri në tetor të këtij viti si një fakt të kryer, u shoqëruan dhe me para të madhe të hedhura për lobime në Amerikë, shuma e të cilave i kalonte të 10 milionë dollarët, lobim që u katandis me dhënien e një vize amerikane për kreun e opozitës Berisha, ndërsa ‘non grata’ vijon të jetë në faqen e DASH dhe sot e kësaj dite! Ndoshta deri në frymën e fundit të Berishës, ndërkohë që familja e tij do të vijojë të jetë të padëshiruar në SHBA!
U krijua një psikozë aq e rëndë kolektive në radhët e kundërshtarëve të kësaj qeverisjeje, janë të paktë në numër nga ky kontigjent dhe që për qamet nuk njeh që nuk njeh kurbë rritjeje, sa duke parë entuziasmin që i kishte kapluar të madh e të vogël në atë ‘sektor’ që ka hyrë në vitin e 14-të që ‘pret thumba në opozitë’, ‘proces’ që pritet të vijojë edhe për shumë vite, vihej re me sy të lirë se tek këta njerëz ishte krijuar bindja se përmbysja ishte afër!
Pavarësisht se ‘dushi’ i ftohtë për këtë kontigjent opozitar erdhi pas zyrtarizimit të ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, i cili sërish e la Berishën jashtë derës, duke mos e ftuar as në ceremoninë e organizuar nga ambasada me rastin e marrjes së detyrës prej tij, nuk e përfshiu as në axhendën e takimeve me faktorët relevantë në Shqipëri, por takoi vartësit e kreut të PD madje, psikoza se Rama dhe qeveria e PS do të bien deri në fund të tetorit, pa thënë se si, nuk u shua!
‘Sentimenti’ politik u ngrit së tepërmi në fundin e majit, teksa nisi ‘revolucioni Flaming’ për mbrojtjen e Zvërnecit, i cili në ditët e para pati një pjesëmarrje të gjërë, sa kohë që ishte paqësore dhe nuk kishte nisur funksionimin me kapacitet të plotë grupi i mikrofonit dhe rryma të tjera të brendshme e të jashtme që tentuan për të kapur protestën! Ku në krye të kërkesave në fund të herës, u precizua ultimatumi ndaj Ramës për të dhënë dorëheqjen, që vijonte me kërkesën për ngritjen e një qeverie kujdestare dhe zgjedhje të reja, që la pa ‘tekst’dhe vetë protestuesit!
Gjithë protesta ishte një ‘aliazh’ mes protestuesve normale që kishin dalë për hallet e tyre apo për mbrojtjen e mjedisit, ‘pasdaranëve’ të Albin Kurtit që morën pjesë ‘paketë’ në të gjitha protestat bashkë ‘qendrën dixhitale’ të masakrimit të kundërshtarëve e lidershipin e tyre politik, të përbërë nga këshilltarët e zyrtarët e Albinit, të betuar për largimin e Ramës. Por dhe nga islami politik i ardhur nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Sanxhaku e deri nga Bosnja e Mali i Zi, të mbështetur nga Anadolli me para e përmes mediave nga Irani, ‘ushtarë’ e përbashkët serbo-shqiptarë të ish lëvizjes KAN që u nda e ‘polli’ Listën Serbe dhe Lëvizjen Vetëvendosje, si dhe formacione të tjera nga bota e nëndheshme kundër Shqipërisë, për ta penguar në rrugën drejt BE!
Që në ditët e para ishin edhe këta ‘çerrat’ e politikës shqiptare, me në krye Gonen, Lapajn dhe Qorin, të cilët tentuan të bëheshin të mëdhenj, pavarësisht se zotërojnë numra të vobektë, në kurriz të kësaj proteste! Erdhën dhe përfaqësuesit e radikalëve të majtë për të dhënë një ‘dorë’, me logjistikë e me prezencë publike, u hodh dhe para e madhe nga përfaqësuesit e ANTIFA-s për të krijuar një bërthanë anti-Trump në Tiranë, por dhe për të nxitur bllokimin e jetës publike, politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri, në funksion të destabilizimit!
E si gjithnjë, dhe Berisha e opozita e drejtuar prej tij ishte tërësisht prezente, në fillim e frustuar nga thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, e që më pas kërkoi të krijonte bindjen se thirrja “Berisha në burg” ishte me lejen e tij, urdhëroi demokratët të merrnin pjesë në protestë!
Të gjithë këto faktorë, në mungesë të një organizimi normal si dhe të një fytyre drejtuese të ‘Revolucionit’, në përpjekje për të marrë drejtimin e protestën duke mos e lënë të formatojë një ekip drejtues, e katandisën këtë lëvizje si foltoret e Berishës dhe e çuan drejt shuarjes!
Meqënëse ishin shumë larg tetorit të premtuar për rrëzimin e Ramës, u dha dhe një ‘kolpo’ e fundit në fillim të tetorit, për ta ringjallur protestën, tashmë përmes një organizimi rrënues dhe të dhunshëm në bulevardin qëndror e nëpër rrugët e Tiranës, duke goditur policinë me gurë, molotov e mjete moderne piroteknike, si dhe duke dhunuar, shkatërruar, vjedhur e djegur që nga institucionet e shtetit e deri tek bizneset dhe bankat në këtë vend!
U përfshinë të gjithë, që nga ‘guerrilasit’ e Albinit, islami politik, ‘kapuçinët’ e Berishës, të cilët kishin kthyer selinë e PD në një bazë furnizimi me molotovë dhe mjete të tjera piroteknike për të qëlluar policinë e djegur institucionet, bizneset dhe bankat, e deri tek neomarksistët e Qorit me skenarin e ANTIFA-s në dorë që jo vetëm mbështetën dhunën, por hodhën në Lanë dhe sekretarin organizativ të PD apo dhunuan Palokën e figurat e tjera dermokrate, me thirrjet: Nuk ju duam në protestë, jemi kundër sistemit dhe deklarata të tjera të këtij lloji!
Ama në fund të herës,t Berisha e mori dhe këtë protestë të ashpër dhe të dhunshme, që nisi si protestë studentore dhe të miturish dhe përfundoi në një grup të dhunshëm që digjte e vidhte, maska të cilat i mori përsipër vetë Berisha, duke i quajtur ata pjestarë të FRPD që i kishin dhënë tonin protestës së dhunshme që nga dita e parë te Ministria e Arsimit e deri në ditët në vijim! Ky ‘përvetësim’ i protestës nga Berisha ndhoshi pasi ai ishte i trembur nga skenari serb, pra nga fitorja e Lëvizjes Studentore në Serbi, lëvizje që përjashtoi dhe shkriu të gjitha partitë opozitare, ndërsa mundi e vetme Vuçiçin e tani është në pushtet! Berisha u tremb dhe i dha goditjen finale protestës të nisur me shumë pretendime si ‘studentore’, e që tashmë është kthyer në një lëvizje që ka vendosur të dalë në bulevard dy herë në javë. Dy herë në javë, si dikur shkollat e natës, për shkak të mungesës së mbështetjes!
Ndërsa Rama jo vetëm që nuk u rrëzua nga pushteti, por ndërmori reforma të forta në shërbim të qytetarëve, duke prezantuar paketën e re fiskale e buxhetin e ri, uli TVSH për mallrat e shportës, hoqi taksën e qarkullimit për naftën, deklaroi rritjen e pensioneve dhe reforma të tjera të këtij lloji, duke treguar qartë se e kishte lexuar protestën e Flamingove, ku dialogu me ta e elementët e kritikë u kthyen në prioritet për qeverinë! Instaloi dialogun, jo vetëm përmes ftesës për në tryezën para kryeministrisë, por me hapjen e një dritareje online dialogu me studentët e qytetarët!
Goditja përfundimtare për ‘revolucionin’, Berishën e partitë opozitare erdhi jo vetëm për shkak të dështimit me sukses të protestës dhe shuarjes së ëndrrës për ta parë të rrëzuar pa votim Ramën deri në fund të tetorit, por dhe për shkak të mbështetjes së qeverisë shqiptare nga ana e BE, përmes dënimit të protestave të dhunshme e në fund fare, të publikimit të progresraportit më të mirë të KE për Shqipërinë, të prezantuar deri më tani! KE, pasi vlerëson ecurinë e fortë të Shqipërisë në drejtim të reformave për anëtarësimin në BE, e renditi vendin tonë në krye listës së vendeve kandidate për anëtarësim, pas Malit të Zi! Me negociatat që mbyllën në fund të 2027!
Prandaj revolucioni, Berisha dhe krerët e partive të vogla opozitare, të cilat pretenduan rrëzimin e Ramës deri në fund të tetorit, kanë humbur qetësinë, duke arritur deri atje sa të ‘luajnë me dorë’ me analistët nëpër panelet televizive por dhe mes njëri tjetrit! U evidentua qartë se janë pikërisht axhendat e këtyre liderëve politikë por dhe axhendat e nëndheshme të huaja, ato të cilat e dështuan revolucionin ‘Flaming’! Shqiptarët duan Europën dhe jo kthimin prapa në rrënim!
Për më tepër që këto përballje kanë lënë pas një ‘tokë të djegur’ politike në anën e opozitës dhe kundërshtarëve të Ramës, sa me gjithë përpjekjet e disa faktorëve opozitarë dhe të shoqërisë civile për ‘pajtim’ e bashkim, nuk po e gjejnë asesi gjuhën e përbashkët për t’u bashkuar me njëri tjetrin, në një front të vetëm opozitar! Zgjedhjet për pushtetin vendor, janë në prag! 9 maji, i dekretuar nga Presidenti si datë zgjedhjesh erdhi, ndërsa opozita është tërësisht e shkatërruar!
Teksa Berisha sulmoi Qorin si neomarksist, sulmoi Shehajn dhe liderët e tjerë opozitarë, të përfshirë sipas tij, në luftën kundër PD apo siç thotë rëndom ‘për të bërë opozitën e opozitës’, ndërkohë që liderët minorë të opozitës ia kthejnë ‘reston’ duke deklaruar se bashkimi me PD e Berishës për të përballuar zgjedhjet e 9 majit nuk sjell fitore përballë Ramës, vetëm sa e thellojnë humbjen, shihet qartë se të gjithë bashkë, kush më shumë e kush më pak po ‘gatuajnë’ humbjen e radhës përballë PS në garën elektorale për pushtetin vendor, më 9 maj të vitit të ardhshëm!
Me një revolucion që vuri pikë të parë atë që duhej të ishte kërkesa e fundit, largimin e Ramës, i cili aktualisht disponon 85 mandate deputeti bashkë me aleatin PSD, në parlamentin me 140 deputetë, me një Berishë që ka për synim vetëm mbajtjen e lidershipit të opozitës pa lëshuar aspak terren për fytyra të reja dhe një frymë të re opozitare, me Qorin, Lapajn e Gonin që nuk e shikojnë me sy njëri tjetrin dhe as Berishën e që rrezikojnë që në zgjedhjet e ardhshme të mos marrin asnjë deputet, opozita jo vetëm që nuk fiton, po e ka të garantuar humbjen e thellë si gjithnjë në këto 13 vite!
Rruga e shkurtër dhe e lehtë gjithnjë të nxjerr shumë gjatë drejt qëllimit final! Kjo u ndodhi dhe kundërshtarëve të Ramës, të cilët kërkuan që përmes shembujve të marrë nga Bangladeshi, Nepali, por dhe së fundmi nga Serbia, pa asnjë organizim e ndryshim, të ëndërrojnë rrëzimin e qeverisë sëPS deri në fund të tetorit, duke e kërkuar rrugën drejt pushtetit pa përpjekje, pa dalë në terren e pa punë, vetëm duke dalë në bulevard e panele televizive, por edhe duke besuar tek sygjerimet se ‘Rama e ha presionin e fortë’, apo duke shpresuar për ndonjë ‘frakturë’ politike në PS. Pra kërkuan një pushtet pa djersë, ‘qyl’ fare! Është e vertetuar tashmë teza, që me të njejtën rrugë, me të njejtën strategji e me të njejtët njerëz, nuk mund të prodhosh rezultat të ndryshëm, nga ai i 13 viteve rresht! Do të humbin jo vetëm vendoret por dhe parlamentaret e vitit 2029!










