Pesë vjet pas zhvendosjes së Tregut të Ri Elektrik në katin nëntokësor të një godine private në zonën e Ali Demit, ky mjedis vijon të funksionojë pa plotësuar standardet elementare të sigurisë nga zjarri. Me dy hyrje-dalje që shërbejnë njëkohësisht si rrugë evakuimi dhe qarkullimi, pa sensorë funksionalë dhe në mungesë të një kornize të posaçme ligjore për katet nëntokësore me destinacion tregtar, Bashkia e Tiranës dhe institucionet përgjegjëse lënë të pambrojtur qytetarët dhe tregtarët, duke e kthyer këtë hapësirë në një rrezik të përditshëm për jetën.
Prapa dyerve të mbyllura të Tregut Elektrik
Prej më shumë se pesë vitesh, Tregu i Ri Elektrik në Tiranë funksionon në katin nëntokësor të një godine private, pavarësisht vendimit të Bashkisë Tiranë për spostimin e këtij të fundit drejt në strukture në pronësi të Bashkisë Tiranë. Vendimi i 2019, i firmosur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, e konsideroi këtë spostim si një zgjidhje administrative. Megjithatë, ajo që dukej si një lëvizje rutinë për tregtarët, në realitet është një “minë me sahat” për sigurinë e jetës së tregtarëve dhe ndërtesës në të cilën operon tregu.
Kushtet e godinës flasin vetë për një mungesë totale të parametrave të sigurisë. Dy hyrje, njëra e pajisur me shkallë lëvizëse, dhe një dalje parkingu përbëjnë të gjithë infrastrukturën e lëvizjes. Përgjigjja zyrtare e Bashkisë së Tiranës pretendon për ekzistencën e tri daljeve emergjente. Në realitet, këto janë thjesht hyrje-daljet e zakonshme të godinës, të cilat nuk ofrojnë asnjë lloj sheshqëndrimi të sigurt pas evakuimit. Për më tepër, dalja kryesore i nxjerr njerëzit drejtpërdrejt në rrugën ku qarkullojnë automjetet, duke e bërë që çdo përpjekje evakuimi të jetë një rrezik shtesë.
Një ekspert i shërbimit zjarrëfikës, në kushtet e anonimatit, shpjegon se në raste emergjence distanca e sheshqëndrimit nga godina është jetike në rast se ajo përfshihet nga flakët:
“Në rast tymi, njerëzit mund të kenë vështirësi të orientohen nëpër korridoret e përcaktuara. Ambalazhet e ndryshme dhe instalimet elektrike mund të ndikojnë në përhapjen e rrufeshme të zjarrit. Kurse pozicioni nëntokësor vështirëson ndjeshëm hyrjen e zjarrfikësve dhe nxjerrjen e personave të bllokuar, përfshirë individët me aftësi të kufizuara.”
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSh), në këtë godinë nuk ka sensorë zjarri të instaluar që janë funksionalë. Ajo që ekziston është një labirint xhamash, ku përgjegjësia për t’u pajisur me fikëse zjarri i është lënë në kurriz vetëm pronarëve të bizneseve. Kompania ndërtuese, e cila dikur e kishte pajisur godinën me elementët minimalë të kërkuar nga një ekspert privat sigurie, si tabela fosforeshente, aspirim tymi dhe gjashtë sprinklera uji, sot distancohet plotësisht nga çdo detyrim ligjor për mirëmbajtjen e saj.
Boshllëku ligjor
Rrënja e kësaj paligjshmërie të strukturuar qëndron te mungesa e një kornize ligjore të posaçme. Në Republikën e Shqipërisë nuk ekziston asnjë ligj specifik që të përcaktojë qartë kushtet e rrepta të sigurisë që duhet të plotësojë një mjedis nëntokësor kur ai transformohet në qendër tregtare.
Ligji ekzistues, Ligji Nr. 152/2015 “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri”, mbetet tepër i përgjithshëm, ndërsa rregulloret për katet nëntokësore u referohen kryesisht godinave të banimit dhe jo aktiviteteve tregtare me fluks të lartë njerëzish. Pavarësisht këtij vakumi, godina u miratua me Vendimin Nr. 137, datë 29.12.2007 të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë Tiranë, si “Godinë shërbimesh dhe banimi 2 dhe 6 kate, me 1 kat parkim dhe 1 kat shërbim nëntokë”.
Në terren, ky zinxhir institucionesh përgjegjësish duket se lëviz në formë rrethore:
Bashkia e Tiranës lejon funksionimin e një mjedisi të rrezikshëm pa standarde të përshtatshme fizike e pason MZSh që konstaton mangësi në kontrollet periodike, vendos gjoba ose masa administrative që mbeten në letër, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të ekspozohen ndaj rrezikut dhe më tej Ministria e Brendshme, si autoritet mbikëqyrës i elementëve të sigurisë, dështon të unifikojë dhe monitorojë në mënyrë rigoroze .
Ekspertët: “në pritje të zjarrit të radhës”
Azmer Duleviç, ekspert i fushës, ngre alarmin se vendosja e sensorëve shpesh bëhet vetëm si kusht formal për marrjen e lejes në fillim, ndërsa kontrollet periodike çdo gjashtë muaj mungojnë plotësisht.
“Ata mund të dëmtohen dhe, nëse nuk kontrollohen, prania e tyre fizike nuk vlen asgjë në momentin kritik të rrezikut. Ka raste kur vendosen sensorë jo të duhur, ndërkohë që rekomandohen panele të adresueshme që tregojnë vendndodhjen ekzakte të flakëve dhe orientojnë qytetarët drejt daljes më të afërt,” thotë Duleviç.
Sipas tij, paniku i turmës në ambiente të mbyllura nëntokësore përbën faktorin më të rëndë. Planet e evakuimit, të cilat MZSh pretendon se ekzistojnë në letër, rrallëkush i provon përmes simulimeve praktike me punonjësit e tregut, ndonëse “ushtrime” të tilla duhet të kryhen minimalisht një herë në vit.
Kur pësimet nuk kthehen në mësime
Paralajmërimi i ekspertëve për një “zjarr të radhës” nuk është i bazuar në hipoteza, por në historikun e përsëritur të tregjeve në kryeqytet. Ish-Tregu Elektrik në rrugën “Petro Nini Luarasi” nuk u zhvendos për shkak të planifikimit urban, por pas një vargu incidentesh dhe rreziqesh ku rrjeti i amortizuar elektrik dhe grumbullimi i lëndëve të djegshme kërcënonin çdo ditë banorët e zonës. Zgjidhja e institucioneve nuk qe ngritja e një modeli me standarde sigurie, por thjesht transferimi i problemit nga sipërfaqja në nëntokë.
Kjo mendësi “ta kalojmë edhe këtë radhë” pa adresuar sigurinë ka lënë pas një bilanc ngjarjesh me dëme të mëdha materiale. Nga flakët që shkrumbuan mjediset e tregut te ish-Uzina Dinamo, (janar 2026) e deri te zjarret e njëpasnjëshme në tregjet e rrobave të përdorura apo mjediset tregtare në zona të banuara, skenari ka qenë gjithmonë i njëjtë: kabllo të ekspozuara, mungesë e sistemeve të detektimit automatik dhe reagim i vonuar i institucioneve.
Në secilin rast, hetimet zyrtare janë mbyllur me konstatimin e “shkëndijave elektrike”, ndërsa tregtarët kanë humbur gjithçka pa marrë asnjë dëmshpërblim. Kalimi i Tregut Elektrik në katin nëntokësor të Ali Demit tregoi se mësimet nga tragjeditë e kaluara nuk u nxorrën kurrë; thjesht u ndërrua vendndodhja, duke e rritur shkallën e rrezikut për shkak të izolimit nëntokësor.
Statistikat e siguruara nga Ministria e Brendshme për periudhën 2021–2026 japin një panoramë alarmante:
Janë regjistruar mbi 550 raste zjarrvëniesh në godina, bodrume dhe mjedise nëntokësore. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, autoritetet kanë shënuar 70 raste.
Vitet 2024 dhe 2025 shënuan përkatësisht 125 dhe 115 raste incidentesh të ngjashme, ndërsa pasojat njerëzore llogariten mesatarisht në 15–25 të lënduar në vit, ndërsa jetët e humbura variojnë nga 1 deri në 4 persona çdo vit.
Për më tepër, shkëndijat elektrike përbëjnë rreth 60% të shkaqeve, ku 30% e rasteve ndodhin pikërisht në mjedise tregtare, tregje dhe supermarkete.
“Ua them me përgjegjësi të plotë, merren zero masa,” thekson Duleviç. “Nëse shkojmë sot në tregun që u dogj para disa muajve, nuk ka asnjë sensor, asgjë. Në këto kushte, na mbetet vetëm të presim zjarrin e radhës.”
Tragjeditë e kaluara, si shkrumbimi i Uzinës Dinamo apo djegia e tregjeve të ndryshme ndër vite, ende nuk po shërbejnë si kambanë zgjimi, por si kujtesë e një sistemi që reagon vetëm pasi dëmi është bërë. Tregu i Ri Elektrik në Tiranë mbetet një bombë me sahat nën tokë, ku në çdo moment jeta e tregtarëve dhe qytetarëve është në rrezik: Deri sa ligjvënësit dhe institucionet të vendosin sigurinë njerëzore mbi interesat e çastit dhe procedurat burokratike, çdo zbritje në atë kat nëntokësor mbetet një bast i rrezikshëm me fatin. A do të mjaftojë sërish gjoba formale, apo do të kërkohet llogaridhënie përpara se tymi i zi të mbulojë edhe njëherë Kryeqytetin?/ Rexhina Papa, acqj.al












