Vetëm tre javë pas ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e një tumori në mushkërinë e djathtë, Papa Leoni XIV ka nisur një udhëtim 12-ditor në Amerikën Latine. Kreu i Kishës Katolike do të vizitojë Uruguain, Argjentinën dhe Perunë, ndërsa Vatikani siguron se gjendja e tij shëndetësore nuk kërkon masa të veçanta dhe se programi i udhëtimit do të zhvillohet sipas planit.
Papa kishte zbuluar muajin e kaluar se tumori ishte identifikuar gjatë një kontrolli rutinë. Për heqjen e tij, mjekët kryen një ndërhyrje që përfshiu edhe lobin e poshtëm të mushkërisë së djathtë. Sipas ekipit mjekësor, sëmundja nuk ishte përhapur.
Përfaqësuesit e Vatikanit e kanë përshkruar Papën si energjik dhe entuziast për këtë udhëtim. Programi është konfirmuar personalisht prej tij dhe nuk është ndryshuar pas operacionit.
Ndalesa e parë është Uruguai, ku numri i besimtarëve katolikë ka shënuar rënie vitet e fundit. Vizita ka edhe rëndësi historike, pasi një Papë nuk e ka vizituar vendin prej rreth katër dekadash.
Më pas, Leoni XIV do të udhëtojë drejt Argjentinës, vendlindjes së paraardhësit të tij, Papa Françeskut. Kjo ndalesë pritet të ketë edhe dimension politik, për shkak të marrëdhënieve të tensionuara në të kaluarën mes Kishës Katolike dhe presidentit Javier Milei, veçanërisht për politikat sociale dhe shkurtimet e shpenzimeve publike.
Pjesa e fundit e turit do të zhvillohet në Peru, vend me të cilin Papa ka lidhje të veçanta. Ai kaloi atje gati 20 vite të jetës së tij si prift dhe drejtues kishtar, ndërsa mban edhe shtetësinë peruane.
Gjatë qëndrimit në Peru, Leoni XIV do të vizitojë dioqezën e Chiclayos, qytetin historik të Cuscos dhe rajonin e Amazonës, Pucallpa. Në të tria ndalesat janë planifikuar edhe takime me persona që kanë mbijetuar nga abuzimet seksuale të kryera nga pjesëtarë të klerit.


