Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në SHBA, ku një 21-vjeçar është qëlluar pesë herë nga policia me pistoletë elektrike, ndërsa po përpiqej të shpëtonte nga vëllai i tij më i madh, i cili e mbante peng nën kërcënimin e një thike.
Ngjarja ndodhi më 6 janar 2026 në Albany, Oregon, por është rikthyer në vëmendje pas padisë së ngritur nga i riu, Maverick Lyon, kundër efektivëve të përfshirë dhe autoriteteve lokale.
Pamjet e kamerave të sigurisë në banesën familjare tregojnë momentet dramatike pas të shtënave. 21-vjeçari shfaqet i gjakosur dhe i shtrirë në tokë, ndërsa përpiqet t’u shpjegojë policëve se kanë qëlluar personin e gabuar.
“Qëlluat personin e gabuar, ai më mbante peng”, dëgjohet të thotë i riu në momentet pas plagosjes.
Vëllai e kërcënonte me thikë
Sipas padisë, gjithçka nisi kur vëllai i tij 27-vjeçar, John “Dakota” Lyon, dyshohet se shfaqi sjellje të rrezikshme pas rikthimit në përdorimin e lëndëve narkotike.
Ai ndodhej në banesën familjare kur mori një thikë të madhe kuzhine dhe kërcënoi vëllanë e tij më të vogël. Babai i tyre, David Lyon, e ndoqi situatën përmes kamerave të sigurisë dhe telefonoi numrin e emergjencës 911, duke kërkuar ndërhyrjen e policisë.
Sipas pretendimeve në padi, Maverick arriti të merrte edhe vetë një thikë për t’u mbrojtur dhe tentoi t’u kërkonte ndihmë efektivëve përmes dritares së banesës. Pak më vonë, ai doli nga dera e pasme në përpjekje për t’u larguar.
Policët e qëlluan pesë herë, i riu iu nënshtrua disa operacioneve
Sipas versionit të paraqitur në padi, 21-vjeçari kishte lënë thikën dhe kishte ngritur duart kur u përball me policinë. Fillimisht, një efektiv përdori ndaj tij pajisjen elektrike Taser, ndërsa më pas dy policë hapën zjarr.
Maverick u godit nga pesë plumba në gjoks, shpinë dhe fytyrë. Familja e tij pretendon se efektivët nuk morën parasysh informacionet e dhëna nga babai për të dalluar autorin e kërcënimit nga viktima. Në padi ngrihet gjithashtu pretendimi se njëri prej policëve vazhdoi të qëllonte edhe pasi i riu kishte rënë në tokë.
Plagët ishin tepër të rënda. 21-vjeçari qëndroi katër javë i shtruar në spital, ku mjekët u detyruan t’i hiqnin një pjesë të mushkërisë së djathtë, shpretkën dhe apendiksin. Ai iu nënshtrua gjithashtu disa ndërhyrjeve kirurgjikale për rikuperimin e sistemit tretës.
Për shkak të dëmtimeve, i riu humbi një semestër studimesh dhe sezonin sportiv me ekipin e kolegjit Saint Anselm në New Hampshire. Megjithatë, më vonë arriti të rikthehej në sportin e lakrosit.
Babai: Telefonova policinë për të shpëtuar djalin, por për pak sa nuk e vranë
Babai i 21-vjeçarit ka rrëfyer dhimbjen e familjes, duke theksuar se telefonoi policinë me qëllimin e vetëm për të shpëtuar të birin.
“Telefonova policinë atë ditë sepse doja të mbroja Maverickun dhe në vend të kësaj, njerëzit që thirra për ndihmë për pak sa nuk i morën jetën”, deklaroi ai.
Ndërkohë, 21-vjeçari ka ngritur një padi federale kundër efektivëve të përfshirë dhe autoriteteve lokale, duke pretenduar përdorim të tepruar të forcës dhe neglizhencë.
Nga ana tjetër, Prokuroria e qarkut Benton e kishte vlerësuar të justifikuar përdorimin e armëve të zjarrit nga policia. Sipas saj, efektivët kishin vetëm pak çaste për të reaguar dhe besonin se ndodheshin përballë një rreziku të menjëhershëm për jetën e tyre.
Vëllai 27-vjeçar, i cili dyshohet se shkaktoi ngjarjen duke mbajtur peng dhe kërcënuar me thikë të riun, është dënuar me më shumë se gjashtë vite burg për veprat penale që lidhen me pengmarrjen dhe kërcënimin me armë.
DISTURBING: ALBANY POLICE SHOOT THE WRONG MAN — Daily Mail
Maverick Lyon was allegedly taken HOSTAGE by his ARMED BROTHER, but officers mistook him for the suspect, tased & shot him FIVE TIMES
Lyon lost part of his lung & spent a month in hospital. Now he’s suing the department https://t.co/dO0kWa85EZ
— RTVisual (@RT_Visual_on_X) November 6, 2026











