Forcimi i bashkëpunimit Kosovë-SHBA ishte në qendër të takimit që Anu Prattipati, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, zhvilloi me gjeneralmajorin Stephen Osborn. Agjutanti i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës u prit prej saj gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë.
Ambasada amerikane bëri të ditur se Prattipati shprehu falënderime për drejtimin dhe përkushtimin e Osbornit në konsolidimin e lidhjeve të mbrojtjes mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Të lidhura
None found
Një vlerësim të veçantë ajo ia kushtoi rolit të tij në zgjerimin e partneritetit shtetëror Ajovë-Kosovë. Ky partneritet shërben si një instrument i rëndësishëm për afrimin e mëtejshëm të palëve në çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Bashkëpunimi i Kosovës me Gardën Kombëtare të Ajovës përfshihet në angazhimin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur ngritjen e kapaciteteve të sigurisë së Kosovës.








