Për vitin akademik 2026/2027, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka hapur një konkurs të ri, përmes të cilit do të jepen 3.000 bursa për studentët. Sipas njoftimit të MASH-it, shpërndarja do të ndjekë një model të ndryshëm nga ai i zbatuar në vitet e mëparshme.
Kërkesat pranohen nga 6 deri më 20 nëntor 2026 dhe dorëzohen vetëm në formë elektronike, në portalin e-uslugi.mon.gov.mk.
Të lidhura
None found
Skema e re ndërthur përkrahjen për studentët në gjendje të cenueshme sociale me shpërblimin e rezultateve akademike dhe nxitjen e përgatitjes së profesionistëve në fusha që kanë rëndësi strategjike për shtetin.
Nga 1.200 bursat e parashikuara për mbështetje sociale, për herë të parë do të ndahen veçmas 50 për studentët me aftësi të kufizuara dhe 50 për studentët me sëmundje të rralla. Ministria e cilëson këtë masë si një hap drejt arsimit gjithëpërfshirës dhe mundësive të barabarta, duke marrë parasysh nevojat specifike të këtyre studentëve dhe të drejtën e tyre për arsimim e zhvillim akademik.
Një tjetër risi është krijimi i kategorisë së bursave strategjike, me gjithsej 1.050 përfitues. Kjo mbështetje u drejtohet studentëve të fushave që vlerësohen si veçanërisht të rëndësishme për zhvillimin e ardhshëm të shtetit.
Programet që përfshihen në këtë kategori janë përcaktuar nga Këshilli Nacional për Arsim të Lartë dhe Veprimtari Kërkimore-Shkencore, përmes Vendimit nr. 1410-183, të datës 3 nëntor 2026, për programet studimore me interes strategjik për shtetin. Në listë përfshihen matematika, fizika, kimia, bujqësia, pylltaria, biologjia për mësimdhënie dhe xehetaria.
Siç shpjegon Ministria e Arsimit dhe Shkencës, synimi është të nxitet zgjedhja e këtyre drejtimeve nga të rinjtë dhe të përgatiten kuadro profesionale në përputhje me nevojat e shoqërisë dhe të ekonomisë.
Për rezultatet e larta në studime janë parashikuar 750 bursa. Përfitues mund të jenë studentët me mesatare të paktën 8.50, të cilët i përmbushin në mënyrë të vazhdueshme detyrimet akademike.
MASH-i bën të ditur se kjo kategori shërben për të vlerësuar dijen, angazhimin dhe punën e studentëve që dallohen me arritjet e tyre gjatë studimeve. Institucioni sqaron gjithashtu se kategoritë e reja dhe rishpërndarja e mjeteve financiare nuk e ndryshojnë numrin e përgjithshëm prej 3.000 bursash. Sipas tij, mbështetja nuk po pakësohet, por po drejtohet më mirë, duke përfshirë më gjerësisht nevojat dhe potencialin e studentëve.
Bursat strategjike kanë vlerë mujore prej 18.000 denarësh. Për kategorinë sociale dhe atë të suksesit të lartë akademik, pagesa mujore është 6.050 denarë. Në të gjitha rastet, bursat paguhen për nëntë muaj të vitit akademik.
Ministria thekson se konkursi hedh themelet e një sistemi bursash më modern dhe me orientim më të qartë. Ky sistem synon të mbështesë studentët me nevojat më të mëdha, të njohë e të shpërblejë arritjet akademike dhe të investojë në dije e kompetenca të rëndësishme për të ardhmen e shtetit.
Ndërkohë, MASH-i njofton se vijon pranimi i aplikimeve edhe për konkursin e 15 bursave për studentët e regjistruar në vitin e parë të programeve studimore në gjuhën maqedonase, për vitin akademik 2026/2027. Ky konkurs është shpallur në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhës maqedonase.
Informacionet e mëtejshme për këtë konkurs gjenden në adresën: https://mon.gov.mk/mk-MK/konkursi-i-stipendii/stipendii-mon/stipendii-za-studii-po-makedonski-jazik-prv-ciklus
I hapur për aplikime mbetet gjithashtu konkursi për rimbursimin e mjeteve të shpenzuara për blerjen e instrumenteve muzikore për vitin akademik 2026/2027.







