
Shtëpia e Bardhë u përcolli të enjten një paralajmërim grupeve konservatore: Ne po ju vëzhgojmë.
Dy ditë pasi votuesit ndëshkuan Presidentin Trump dhe partinë e tij, administrata ndërmori hapa për të mbajtur të bashkuar një koalicion që kishte filluar të përçahej.
Zyra e Shtëpisë së Bardhë për Marrëdhëniet me Publikun, e cila bashkëpunon me grupet e jashtme, u dërgoi një memorandum më shumë se 3 000 organizatave konservatore, ku renditeshin arritjet e Trump gjatë qëndrimit në detyrë dhe premtohej se do të pengohej që demokratët, të cilët sapo kishin fituar terren, t’i zhbënin ato. Memorandumi përfundonte me një fjali të theksuar me ngjyrë të verdhë.
“Si gjithmonë, ne po monitorojmë deklaratat, njoftimet për shtyp dhe daljet tuaja në media”, thuhej në memorandum. Drejtuesit e dy organizatave të njohura konservatore konfirmuan se e kishin marrë këtë memorandum.
Memorandumi u dërgua pasi drejtues republikanë dhe konservatorë të njohur fajësuan publikisht politikat e Trump për rezultatin e zgjedhjeve. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se memorandumi kishte për qëllim të ruante unitetin e koalicionit konservator gjatë dy viteve të fundit të presidencës së Trump.
E pyetur për koment, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë tha se emaili nuk ishte një kërcënim dhe se ishte pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të mobilizuar mbështetësit e jashtëm. Zëdhënësja tha se Zyra për Marrëdhëniet me Publikun kishte dërguar edhe më parë mesazhe me formulime të ngjashme.
Email-et e mëparshme të zyrës së kësaj strukture, të shqyrtuara nga The Wall Street Journal, i nxisin organizatat në terren që t’i ndajnë me Shtëpinë e Bardhë mesazhet e tyre pro-Trump, por nuk përmbajnë formulime lidhur me monitorimin e deklaratave të grupeve.
“Si gjithmonë, ju lutemi të vazhdoni të na vini në dijeni për çdo deklaratë mbështetjeje, njoftim për shtyp, artikull opinioni dhe dalje në media lidhur me temat e përshkruara më sipër”, thuhej në një email të datës 1 tetor drejtuar grupeve konservatore.
Pasi republikanët humbën Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, disa konservatorë bënë deklarata të drejtpërdrejta lidhur me përmasat e humbjes së Partisë Republikane.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, i cili në vitin 2024 sfidoi pa sukses Trumpin për nominimin presidencial republikan, ia atribuoi drejtpërdrejt atij përgjegjësinë për humbjet.
“Këto zgjedhje të mesmandatit, pa asnjë dyshim, ishin një ndëshkim ndaj presidentit dhe Kongresit nga demokratët, të pavarurit dhe disa republikanë që votuan përtej vijave partiake”, i tha ai Laura Ingrahamit të Fox News.
Senatori i Teksasit, Ted Cruz, i përshkroi humbjet si “një refuzim në nivelin e Watergate-it” në një postim në rrjetet sociale, duke shkruar se “tarifat doganore të Trumpit e kanë bërë gjithçka tepër të shtrenjtë”, ndërsa “lufta me Iranin është zgjatur më shumë seç duhej”.
Disa grupe konservatore nxituan t’ia atribuojnë humbjet asaj që e konsideronin si braktisje nga republikanët të parimeve konservatore të mbrojtura prej kohësh.
“Konsulentët republikanë morën fushatën që dëshironin dhe humbjen që meritonin. Nuk mund t’i thuash për vite me radhë bazës tënde të heshtë e të mos flasë, dhe pastaj të sillesh i habitur kur ajo nuk ngrihet për të të mbështetur ditën e zgjedhjeve”, shkroi në një memorandum pas zgjedhjeve Marjorie Dannenfelser, presidente e organizatës Susan B. Anthony Pro-Life America. Ajo përmendi mungesën e veprimit të administratës për çështjen e abortit si një nga arsyet përse votuesit fetarë nuk dolën në mbështetje të partisë së Trumpit.
Taxpayer Protection Alliance, një organizatë konservatore e përqendruar te kufizimi i rolit të qeverisë, fajësoi për rënien e mbështetjes ndaj republikanëve përqafimin nga Trump të populizmit ekonomik, veçanërisht përdorimin e tarifave doganore, të cilat rritën kostot për votuesit.
“Këto tarifa ishin një plagë politike që ia shkaktuam vetes dhe që i largoi votuesit”, shkroi organizata në një memorandum pas zgjedhjeve.
Disa përfaqësues të së djathtës argumentojnë tani se rezultatet e zgjedhjeve të së martës në mbrëmje duhet ta detyrojnë Partinë Republikane të rikthehet te ajo që senatori John Curtis (republikan nga Utah) e përshkroi në një postim në rrjetet sociale si “vlera konservatore të bazuara në parime”.
“Pas epokës së Bidenit, amerikanët donin një ekonomi që të funksiononte në interes të tyre”, shkroi Curtis të martën në mbrëmje. “Në vend të kësaj, ata morën një luftë të nisur me nxitim, skandal pas skandali në titujt e lajmeve, një borxh në rritje që po i afrohet 40 trilionë dollarëve dhe tarifa doganore të paparashikueshme.”
Që kur erdhi në pushtet një dekadë më parë, Trump ka qenë prej kohësh një figurë me ndikim vendimtar në radhët e republikanëve, duke ngritur kandidatët që preferonte dhe duke ripërcaktuar qëndrimet e partisë për çështje si tregtia dhe politika e jashtme.
Presidenti del nga këto zgjedhje i dobësuar, ndërsa ndikimi i tij brenda partisë është vënë në pikëpyetje. Ndërsa republikanët shohin drejt zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028, ata do të duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë ta përqafojnë trumpizmin apo do t’i japin partisë një drejtim të ri.
Të mërkurën, zëvendëspresidenti JD Vance, i cili konsiderohet gjerësisht si një nga kandidatët kryesorë të mundshëm republikanë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, ndërmori hapat e parë për të artikuluar një botëkuptim që ndryshon nga ai i Trumpit.
Ai dhe Trump bien dakord se lufta ishte të paktën pjesërisht përgjegjëse për humbjen e rëndë të republikanëve të martën. Por, ndërsa Trump ka thënë se nuk do të ndryshonte asgjë në mënyrën se si veproi, Vance sugjeroi në një postim të gjatë në rrjetet sociale se pasojat politike të luftës meritonin të diskutoheshin.
“Nëse dëshironi të argumentoni se ia vlejti, se ia vlejti humbja e Senatit për gjashtë vitet e ardhshme, atëherë bëjeni”, tha Vance. “Argumentoni se ishte një çmim që ia vlente të paguhej. Pavarësisht nëse jeni dakord apo jo, të paktën kjo është e ndershme.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ