Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e regjistruar në fshatin Rrushkull, në Manëz të Durrësit, ku një 37-vjeçar ka goditur me sende të forta prindërit e tij, përballë banesës ku jeton.
Sipas njoftimit të Policisë, bëhet fjalë për shtetasin E. K., 37 vjeç, i cili ka probleme të shëndetit mendor. Ai ka sulmuar babanë e tij, S. K., 72 vjeç, dhe nënën, F. K., 69 vjeçe.
Si pasojë e dhunës, të dy prindërit kanë mbetur të plagosur. Nëna ndodhet në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku gjendja e saj shëndetësore është stabilizuar.
Ndërsa 72-vjeçari ka pësuar dëmtime në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore.
Pas ngjarjes, 37-vjeçari është shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.


