150-vjetori i lindjes së Faik Konicës, prezantohen në Korçë libra, letra origjinale dhe fotografi të rralla
Në kuadër të 150-vjetorit të lindjes së Faik Konicës, në Korçë janë ekspozuar për herë të parë libra nga biblioteka e tij personale, tetë letra origjinale dhe fotografi të rralla. Dokumentet hedhin dritë mbi formimin intelektual, marrëdhëniet dhe jetën e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare.
Aktiviteti “Faik Konica – Trashëgimia e një biblioteke” u organizua nga Biblioteka Publike “Thimi Mitko”, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Ekspozita përfshin libra që i përkisnin bibliotekës personale të Konicës, dokumente dhe fotografi origjinale.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Majlinda Toçi, shpjegoi se bëhet fjalë për libra të përzgjedhur nga vetë Konica për bibliotekën e tij personale, të cilët dëshmojnë ndikimet në formimin e ideve dhe personalitetit të tij.
“Kjo pjesë e bibliotekës vetjake të Faik Konicës na tregon shumë për këtë figurë komplekse. Janë libra që i përkasin bibliotekës së tij personale dhe që dëshmojnë cilët shkrimtarë dhe botime kanë formësuar idetë e personalitetin e tij. Sot kjo bibliotekë vjen për herë të parë në Bibliotekën Publike ‘Thimi Mitko’ të Korçës”, thotë Majlinda Toçi.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e ekspozitës janë tetë letra origjinale të Faik Konicës, të shkruara në periudhën 1921–1929. Historiani Niko Kotherja bëri të ditur se dy prej tyre janë pjesë e korrespondencës me Rauf Ficon, ndërsa të tjerat me Pandeli Caleçon.
“Kam sjellë tetë letra origjinale të Faik Konicës, që datojnë nga vitet 1921–1929. Dy janë korrespondenca me Rauf Ficon, ndërsa pjesa tjetër me Pandeli Caleçon. Në këto letërkëmbime shfaqen detaje më pak të njohura nga jeta e tij, fotografitë e realizuara në studiot amerikane dhe marrëdhëniet me personazhe të rëndësishëm të kohës”, thotë Niko Kotherja.
Ekspozita përfshin gjithashtu dy fotografi origjinale të Konicës, të realizuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes librave, letërkëmbimeve dhe dokumenteve, aktiviteti synon të sjellë një këndvështrim më të plotë mbi jetën dhe trashëgiminë intelektuale të një prej personaliteteve të kulturës shqiptare.
Ekspozita për Kadarenë sjell në Prishtinë lidhjen e shkrimtarit me Kosovën
Zbulohet letra e Brigitte Bardot, lë jashtë testametit bashkëshortin: Më shkatërroi për 30 vite
Shtyrja e Panairit të Librit, zbulohen datat e reja kur do të mbahet
- 21:12 Franca në alarm për protestat e së shtunës, 70 mijë policë dhe xhandarë në rrugë
- 21:11 Alarmet për bomba në avionët europianë, dyshimet bien mbi grupin rus “Male State”
- 21:10 Shpëtohen 40 emigrantë në det në Kretë, autoritetet greke ndërhynë në kohë
- 21:06 Durrës! 37-vjeçari dhunon me sende të forta prindërit, babai në gjendje të rëndë shëndetësore
- 21:01 Atentat ndaj 36-vjeçarit shqiptar në Athinë, gjendet i plagosur në makinë
- 20:47 Votoi në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, Papa Leo: Jam krenar që jam amerikan