Lajmi i fundit

LIVE - PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

U arrestua për dy vrasje në Greqi, Nikolin Pali pranon edhe vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër në vitin 2002

U arrestua për dy vrasje në Greqi, Nikolin Pali pranon edhe vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër në vitin 2002

21:30, 06/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Detaje të reja janë zbardhur pas arrestimit nga forcat speciale greke EKAM të 43-vjeçarit shqiptar Nikolin Pali, i dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme për vrasjen e ish-partneres dhe të dashurit të saj, në vitin 2020, në Loutraki të Greqisë.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, shqiptari dyshohet se ka pranuar para autoriteteve edhe autorësinë e dy vrasjeve të tjera të kryera në Shqipëri, përpara se të largohej drejt Greqisë.

Burime bëjnë me dije se dy viktimat janë vëllezërit Sejdin dhe Seldjan Vucaj, të cilët u ekzekutuan në vitin 2002, në fshatin Shtoj i Vjetër në Shkodër. Këto dyshime pritet të verifikohen në kuadër të hetimeve që po zhvillojnë autoritetet greke dhe shqiptare.

Ndërkohë, vijojnë dyshimet se Nikolin Pali mund të jetë në të vërtetë Fran Preldakaj, i njohur edhe si Zef Preldakaj, 44 vjeç, i dënuar më parë për vrasje në Shqipëri dhe i shpallur në kërkim nga Interpol Tirana për tentativë grabitjeje në bashkëpunim.

Autoritetet shqiptare kishin publikuar edhe një njoftim kërkimi, ku bëhej me dije se personi në fjalë ishte dënuar me 22 vite burg për vrasje.

Sipas policisë greke, 43-vjeçari u arrestua në zonën e Patisias, në Athinë, ku qarkullonte me dokumente identifikimi të falsifikuara. Ai konsiderohet nga autoritetet si person me rrezikshmëri të lartë dhe dyshohet edhe për përfshirje në vrasje me pagesë.

Policia greke po heton gjithashtu lidhjen e tij me dy vrasje konkrete, të cilat dyshohet se kanë karakteristikat e ekzekutimeve me pagesë.

Ndaj tij ishin në fuqi gjashtë vendime dënimi për vrasje me dashje në gjendje të qetë psikike, të kryera në mënyrë të përsëritur, grabitje të përsëritura dhe shkatërrim të pronës së tjetrit me zjarr.

Vendimet e dënimit ndaj tij lidhen me vrasjen e dyfishtë të ndodhur natën mes 10 dhe 11 tetorit 2020, në një shtëpi pushimi në Loutraki të Korinthit.

Sipas hetimeve, Nikolin Pali dyshohet se ka vrarë me sëpatë ish-partneren e tij, me origjinë ukrainase, e njohur edhe me emrin grek Fotini, si dhe partnerin e saj të atëhershëm, farmacistin Ioannis Zonitsas.

Pas krimit, ai dyshohet se u ka marrë viktimave para dhe bizhuteri. Më pas, ka transportuar automjetin e gruas në një zonë të izoluar dhe i ka vënë flakën, me qëllim zhdukjen e gjurmëve.

Gjatë kontrollit në apartamentin ku qëndronte shqiptari, policia greke gjeti dhe sekuestroi një pistoletë me dorezë druri, dy granata plotësisht funksionale, dy mekanizma ndezës për granatat, tre palë pranga metalike dhe një leje qëndrimi në emër të një personi tjetër, por me fotografinë e 43-vjeçarit.

Pali u arrestua gjithashtu për kundërshtim me dhunë ndaj punonjësve të drejtësisë, falsifikim dokumentesh, si dhe për shkelje të legjislacionit për armët dhe të huajt.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, autoritetet greke komunikuan me homologët shqiptarë përmes Interpolit. Nga ky komunikim rezultoi se ndaj tij ishte në fuqi edhe një njoftim ndërkombëtar kërkimi nga Shqipëria, për tentativë grabitjeje me armë në bashkëpunim.

Gjatë operacionit u arrestua edhe një 41-vjeçare e huaj, e dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe për shkelje të legjislacionit për të huajt.

Policia greke bën me dije se i arrestuari ishte evidentuar edhe më parë për çështje që lidhen me narkotikët, grabitjet, shkeljet e ligjit për armët, Kodit Rrugor dhe legjislacionit për lojërat e fatit.

Hetimet vijojnë për të verifikuar pretendimin e tij për vrasjet në Shqipëri, për të përcaktuar identitetin e vërtetë të të arrestuarit dhe për të zbardhur nëse ai ka lidhje me ngjarje të tjera të rënda kriminale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco