Lajmi i fundit

LIVE - PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

PIRANJAT/ 25 vite punë, pa paga dhe pa sigurime! 50 punonjësit e Nefer në Shkodër kërkojnë drejtësi

21:48, 06/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në Shqipëri, fabrikat dhe fasoneritë janë kthyer prej vitesh në një burim të rëndësishëm punësimi, veçanërisht për gratë. Për shumë prej tyre nuk bëhet fjalë thjesht për një vend pune, por për mundësinë e vetme që të mbajnë familjen, të rrisin fëmijët dhe të përballojnë shpenzimet e përditshme.

Pas makinave qepëse, orëve të gjata të punës dhe pagave shpeshherë modeste, fshihen histori sakrifice, përkushtimi dhe mbijetese.

Por çfarë ndodh kur, pas më shumë se dy dekadash punë, fabrika mbyll dyert, pronari zhduket dhe punonjëset mbeten pa paga, pa sigurime dhe pa asnjë garanci se do të marrin atë që u takon?

Si në rastin e 50 punonjëseve të një fasonerie në Shkodër, të cilat sot thonë se kanë mbetur në mëshirë të fatit, ndërsa pronari italian është larguar dhe askush nuk u jep një përgjigje për paratë dhe të drejtat e tyre të humbura.

Për disa prej tyre, fabrika NEFER ka qenë pjesë e jetës që kur ishin shumë të reja. Kanë kaluar vite aty, duke respektuar oraret dhe duke kryer detyrat e tyre, me bindjen se kjo punë do t'iu garantonte të paktën pagën dhe sigurimet.

Por, siç thonë ato vetë, pas këtij aktiviteti fshihej një tjetër realitet...

Sipas dëshmive të punonjëseve, problemet nuk kanë nisur ditën kur fabrika mbylli dyert. Ato pretendojnë se prej vitesh janë përballur me pagat e ndara.

Apo për ta bërë edhe më të kuptueshme, një pjesë e pagës kalonte përmes bankës, ndërsa pjesa tjetër u jepej në dorë, jashtë borderosë zyrtare.

Por përtej rrogave, pronari italian Giuseppe Schrinzi nuk do të paguante as sigurimet, duke iu shkaktuar këtyre zonjave një dëm të dyfishtë, me pasoja për pensionin dhe përfitimet e tjera që vijnë nga kontributet.

Nga ajo që dëgjojmë, duket se këto gra kanë punuar në fshehtësi të plotë, njëlloj si emigrantët klandestinë të ardhur nga Afrika. Kjo vetëm sepse pronari donte të kursente në kurriz të tyre.

E ndërsa detyrimet, sipas punonjëseve, vazhdonin të mbeteshin të pazgjidhura, justifikimet e pronarit italian bëheshin gjithnjë e më të shpeshta, aq sa një ditë u thuhej një gjë, ditën tjetër një tjetër.

Në kushtet kur gënjeshtra bëhej gjithnjë e më e madhe dhe vështirësitë shtoheshin, pronari nisi të manovrojë me strategji falimentimi.

Pas muajsh pritjeje, premtimesh dhe përpjekjesh për të marrë një përgjigje, punonjëset e humbën durimin dhe vendosën të mos prisnin më. Ato iu drejtuan institucioneve dhe denoncuan italianin, me shpresën se ndaj tij do të hapej një hetim për mashtrim.

Sipas asaj që na thonë punonjëset, Giuseppe vërtet ishte zhdukur prej kohësh, por aktiviteti vazhdonte të mbahej në këmbë nga dy persona që, nga sa na thuhet, ishin të besuarit e tij.

Nga telefonatat me dy bashkëpunëtorët shqiptarë të filanit, kuptojmë që edhe ata kanë të njëjtin hall me pjesën tjetër të stafit.

Nga sa shihet, jemi në kushtet e falimentimit total të një kompanie me mbi 25 vite aktivitet, ndërkohë që 50 punonjës të saj janë hedhur në rrugë, madje pa u likuiduar.

Por, kur kompania nuk ushtron më aktivitet, kush ua garanton punonjësve të drejtat e tyre?

Inspektorati i Punës ka vendosur një gjobë prej 6 milionë lekësh të vjetra, por a mjafton kjo? Çfarë përfitojnë punëtoret nga kjo masë?

Për më tepër që pronari është larguar pa lënë asnjë gjurmë.

50 gra dhe burra, punonjës prej dekadash në kompaninë Nefer, sot janë hedhur në rrugë pa marrë mbrapsht mundin dhe djersën e tyre.

Po filani a i detyrohet një shpjegim ish-bashkëpunëtorëve të tij prej kaq vitesh?

Tashmë, shpresa e vetme e xx punonjëseve të palikuiduara të kompanisë Nefer mbetet te organet e drejtësisë, të cilat ende s'e kanë thënë fjalën e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco