
Deputeti i Partisë Demokratike Tomor Alizoti ka komentuar përgjimet e reja të Ergys Agasit. Në ato përgjime, Agasi, gjatë një bisede me dy izraelitë, thotë ndër të tjera se drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hysenin, e ka shoqe të ngushtë. Alizoti i bëri këto deklarata në emisionin Zonë e Lirë.
Ai u shpreh se ajo që dëgjohet në përgjime është e tmerrshme dhe tregon se shteti është vënë në gjunjë. Sipas deputetit demokrat, është skandaloze që shefja e shërbimit sekret të jetë, siç u shpreh ai, “e kapur” nga një i fortë. Alizoti theksoi se një situatë e tillë në një shtet përbën hata.
Ai e cilësoi si të papranueshme që drejtuesja e institucionit më të rëndësishëm për ruajtjen e sekreteve të jetë nën ndikimin e një personi të fortë. Ai vuri në dukje se sistemet e shërbimeve sekrete kanë qenë serioze edhe gjatë diktaturës. Tani, çështje që duhej të mbeteshin tepër sekrete po diskutohen hapur në studio televizive.
Sipas tij, kjo tregon se në institucionin më të rëndësishëm të vendit për sekretet po shfaqet banaliteti. Këtë ai e cilësoi si rënie e shtetit. Alizoti shtoi se nëse drejtuesi i shërbimit sekret bie nën ndikimin e një të forti, pasojat për një shtet janë të rënda.
