
Prokurori për Distriktin Jugor të Floridës, Jason A. Reding Quinones, flet gjatë një konference për shtyp në Bruklin, Nju Jork, SHBA, më 20 korrik 2026
Dy zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Drejtësisë dhanë dorëheqjen të premten, duke përshpejtuar largimin e drejtuesve të lartë nga ky institucion pas zgjedhjeve afatmesme, në të cilat republikanët e presidentit Donald Trump humbën kontrollin e Kongresit.
Largimi i John Eisenberg, i cili drejtonte Divizionin e Sigurisë Kombëtare të Departamentit të Drejtësisë, dhe Jason Reding Quiñones, i cili drejtonte hetimet ndaj hetimeve të mëparshme penale për Trump, vjen pas dorëheqjes të enjten të drejtueses së njësisë për të drejtat civile, Harmeet Dhillon.
Departamenti i Drejtësisë tashmë ka mbetur pa drejtues për dy nga nismat e tij kryesore: rihapjen dhe rivlerësimin e hetimeve të mëparshme dhe vënien në shënjestër të institucioneve të arsimit të lartë.
Nuk është e qartë se përse Quiñones dhe Eisenberg dhanë dorëheqjen. Nuk është e pazakontë që zyrtarët e lartë amerikanë të largohen nga administrata pas zgjedhjeve afatmesme, veçanërisht kur ato sjellin një humbje të ndjeshme për partinë në pushtet.
Demokratët kanë planifikuar një sërë hetimesh ndaj administratës së Trump dhe marrëdhënieve të tij të biznesit.
Në cilësinë e prokurorit amerikan për Distriktin Jugor të Floridës, Quiñones ishte në qendër të përpjekjeve të Trump për të përdorur Departamentin e Drejtësisë për të hetuar kundërshtarët e tij politikë.
Zyrës së tij iu ngarkua hetimi i hetimeve penale të mëparshme lidhur me mënyrën se si Trump kishte trajtuar dokumentet e klasifikuara pas largimit nga detyra në vitin 2021, si dhe kontaktet e fushatës së tij me Rusinë gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, mes çështjeve të tjera.
Hetimi synonte të përcaktonte nëse presidenti kishte qenë viktimë e një komploti kriminal afatgjatë. Megjithatë, deri më tani, si rezultat i drejtpërdrejtë i këtij hetimi nuk është ngritur asnjë akuzë penale. Prokurori që e kishte mbikëqyrur atë, Joseph diGenova, dha dorëheqjen në shtator.
Gjatë periudhës kur Quiñones drejtonte prokurorinë federale në Miami, dhjetëra prokurorë u larguan nga zyra, ndërsa disa prej atyre që kishin ndjekur penalisht personat e akuzuar për sulmin ndaj Kapitolit amerikan më 6 janar 2021 u shkarkuan.
Zyra e Quiñones ishte në ballë të fushatave të presionit të administratës kundër Venezuelës dhe Kubës dhe ngriti akuza penale ndaj ish-presidentit kuban, Raul Castro.
Gjithashtu, zyra e tij po ndjek penalisht Alex Saab, një biznesmen i lindur në Kolumbi, i afërt me presidentin venezuelian Nicolas Maduro, të cilin Venezuela e dëboi në muajin maj.
Ndërsa Eisenberg ka mbajtur një profil relativisht të ulët publik, Divizioni i Sigurisë Kombëtare që ai drejtonte ishte përfshirë në disa prej veprimeve më të debatueshme të Departamentit të Drejtësisë.
Këto përfshinin një kontroll të pazakontë në banesën e një gazetari të Washington Post, si pjesë e një hetimi për rrjedhjen e informacionit sekret.
Divizioni ndihmoi gjithashtu në ngritjen e çështjes së parë të këtij lloji në një gjykatë sekrete të krijuar në vitin 1996 për të trajtuar rastet e personave të dyshuar si “terroristë të huaj”. Çështja kishte të bënte me dëbimin e një shtetasi afgan me leje qëndrimi të përhershme, ndaj të cilit nuk ishte ngritur asnjë akuzë penale.
Divizioni ndihmoi gjithashtu në mbikëqyrjen e redaktimeve dhe heqjes së informacioneve përpara publikimit nga Departamenti i Drejtësisë të miliona dosjeve që lidhen me të ndjerin Jeffrey Epstein, të dënuar për krime seksuale. Demokratët dhe disa republikanë kritikuan faktin se një pjesë tepër e madhe e informacionit ishte mbajtur e fshehtë, shkruan Reuters.