Shpresë për fundin e luftës? Trump: Rusia dhe Ukraina duan një marrëveshje, do të përfshihet edhe Europa. Zelensky: Jemi gati të takohemi me Putinin…
Administrata amerikane duket e përçarë lidhur me vijimin e konfliktit me Iranin. Zëvendëspresidenti JD Vance po ushtron presion për t’i dhënë fund luftës përmes një marrëveshjeje, ndërsa sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), Brad Cooper, mbështesin rifillimin e operacioneve ushtarake.
Lajmi bëhet i ditur nga “The Wall Street Journal”, duke iu referuar burimeve pranë administratës amerikane. Sipas gazetës, përplasjet mes qëndrimeve të ndryshme janë intensifikuar pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë klimë pasigurie, Shtetet e Bashkuara kanë kryer një tjetër sulm ndaj Iranit. Dy raketa kanë goditur ishullin Qeshm, në Gjirin Persik.
Zëvendëspresidenti JD Vance ka qenë i angazhuar gjatë dy javëve të fundit në negociata indirekte me Iranin, me synimin për të arritur një marrëveshje të re armëpushimi dhe për të rifilluar bisedimet mbi programin bërthamor të Teheranit.
Sipas portalit Axios, i cili citon burime të njohura me diskutimet, Vance po komunikon pothuajse çdo ditë me ndërmjetësit e Katarit dhe Pakistanit. Palët po diskutojnë mundësinë e organizimit të një takimi në nivel teknik mes përfaqësuesve amerikanë dhe iranianë gjatë ditëve në vijim.
Përfshirja e drejtpërdrejtë e Vance në këto përpjekje shihet si një sinjal i angazhimit të tij për të gjetur një rrugëdalje diplomatike nga konflikti.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm në Iran, duke e cilësuar atë si një operacion të kufizuar.
“Nuk dua të flas për këtë. Ne kryem një sulm të vogël në Iran. Ata kishin ndërtuar një pajisje të vogël kundërajrore dhe ne e nxorëm jashtë funksionit brenda 15 minutash, ndoshta edhe pesë”, deklaroi Trump, duke iu përgjigjur pyetjeve nëse SHBA-të qëndronin pas sulmit në ishullin Qeshm.
Ndërkohë, sipas burimeve të cituara nga “The New York Times”, mijëra ushtarakë amerikanë, së bashku me avionë dhe mjete detare, janë në gatishmëri për të rifilluar operacionet ushtarake në shkallë të gjerë kundër Iranit.
Forcat amerikane janë të dislokuara në më shumë se një duzinë anijesh dhe në baza ushtarake në rajon dhe në SHBA. Sipas raportimit, ato presin urdhrin e presidentit për të nisur operacione të reja.
Ndërkohë, senatori amerikan Bernie Sanders u ka bërë thirrje demokratëve që në Kongresin e ardhshëm të ndërpresin financimin e luftës amerikane kundër Iranit. Gjatë një interviste për CNN, Sanders deklaroi se konflikti nuk mund të ndalet vetëm përmes miratimit të rezolutave, por duhet të ndërpriten fondet që mundësojnë vazhdimin e tij.
“Ne nuk e ndalim këtë luftë vetëm duke miratuar rezoluta, por duke i ndërprerë financimin. Kështu bëhet”, u shpreh senatori.
Sanders e cilësoi konfliktin si “të paligjshëm” dhe “jokushtetues”, duke pretenduar se ai ka shkaktuar vdekjen e 19 ushtarakëve amerikanë dhe mijëra burrave, grave e fëmijëve në Iran dhe vendet fqinje. Ai gjithashtu theksoi se lufta ka kushtuar qindra miliarda dollarë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Sanders deklaroi se votuesit amerikanë kanë dhënë një mesazh të qartë gjatë zgjedhjeve të mesmandatit, duke kërkuar përfundimin e konfliktit.
Ndërsa përpjekjet diplomatike vijojnë, gatishmëria ushtarake amerikane dhe përplasjet brenda administratës Trump e bëjnë të pasigurt rrugën që do të ndjekë Uashingtoni në ditët në vijim.
Top Channel