Nga Andi Mustafaj/
Më ndiq deri në fund.
E kam lexuar shpesh në komentet poshtë statuseve të mia. E kam dëgjuar po aq shpesh në studiot televizive.
Mjaftueshëm sa ta vendos veten në pikëpyetje. A mos jam unë në gabim?
Ndaj bëra diçka shumë të thjeshtë. Mund ta bësh edhe ti sonte, në pesë minuta.
Hapa llogaritë e socialistëve që njoh dhe kërkova nëse dikush kërkon largimin e Edi Ramës nga drejtimi i Partisë Socialiste. Jo nga posti i Kryeministrit, por nga drejtimi i partisë.
Asnjë.
Të njëjtën gjë te Partia Mundësia. Te Lëvizja Shqipëria Bëhet. Te Lëvizja Bashkë. As edhe te Lëvizja Socialiste për Integrim, që e ka drejtuesin në burg.
Kritika, lavdërime, sulme. Por asnjëherë, as një herë të vetme, kërkesë për ndryshimin e kryetarit të tyre.
Pastaj gërmova në kujtesën time. Jam tridhjetë e tetë vjeç dhe në politikë që nga adoleshenca.
Asnjëherë nuk i kam kërkuar një partie ku nuk bëj pjesë të ndërrojë kryetarin.
Tani që e mendoj, nuk më ka shkuar as ndër mend. Betejën, në çdo kohë, e kam me pushtetin dhe jo me partitë, të cilat organizohen si të duan.
Vetëm pushteti vendos mbi jetën time. Një parti në opozitë nuk vendos asgjë mbi askënd.
Pra kemi një kërkesë që nuk i bëhet asnjë partie në këtë vend. Përveç njërës.
Vetëm ky element duhet të mjaftojë për të kuptuar se kemi të bëjmë me një narrativë të imponuar. Një narrativë që synon anestezimin e mendimit kritik.
Si e tillë, ajo duhet luftuar me një durim të llojit të veçantë. Atë që kërkon zgjimi i mendjeve të sunduara nga propaganda.
Kjo kërkesë, në formë urdhëruese, lidhet nga ata që e formulojnë me ikjen si pasojë domino të Edi Ramës.
A qëndron kjo logjikë?
© SYRI.net