Mbetjet e dëmshme në Elbasan, Prokuroria sekuestron mbi 300 tonë pluhur nga Albchrome

07/11/2026 10:12

Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar mbi 300 tonë pluhur të nxjerrë nga Uzina e Ferrokromit të firmës koncesionare Albchrome. Bëhet fjalë për pluhurin e kapur nga sistemi i pluhur kapëseve i cili sipas një raporti të AKM rezulton të jetë shumë i dëmshëm.

​Sipas dokumenteve zyrtare nga Prokuroria e Elbasanit, mbetjet e një sasie të konsiderueshme prej 300 tonë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, pasi vlerësohen si të domosdoshme për vërtetimin e fakteve objekt i hetimit penal”.

Duke u nisur nga natyra e sendit, prokurorët i kanë lënë në ruajtje subjektit ‘Albchrome’ shpk, i cili ka detyrimin e ruajtjes dhe paraqitjes së sendit kur t’i kërkohet nga organi procedues”, thuhet në dokumente.

Skandali u zbulua në 28 maj kur Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pezulloi aktivitetin e Albchrome pasi evidentoi 318 tonë mbetje të rrezikshme të cilat depozitoheshin pa asnjë kusht sigurie.

Për këtë sasi mbetjesh kompania nuk dispononte asnjë kontratë transferimi për evadimin, asgjësimin apo përpunimin e tyre.

Më tej ishte AKM ajo që pak ditë më parë i cilësoi këto mbetje si shumë të rrezikshme.

Top Channel