Pesë fëmijë kanë përfunduar në spital pas shfaqjes së simptomave të helmimit, në një kopsht në qytetin e Vlorës.
Bëhet fjalë për Kopshtin nr. 10, ku dyshohet se fëmijët janë helmuar nga ushqimi i konsumuar.
Në total, shtatë fëmijë janë paraqitur në repartin e pediatrisë për ndihmë mjekësore, ndërsa pesë prej tyre janë shtruar dhe po marrin trajtim në spital.
Shqetësimet shëndetësore janë shfaqur mbrëmjen e kaluar, me simptoma si dhimbje barku dhe të vjella të vazhdueshme.
Prindërit bëjnë me dije se edhe disa fëmijë të tjerë kanë pasur të njëjtat shqetësime, por janë trajtuar në banesë.
Pas rasteve të regjistruara, spitali ka njoftuar Institutin e Shëndetit Publik, specialistët e të cilit kanë marrë mostrat përkatëse për analiza laboratorike.














