Inspektorati i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë dhe Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me synim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe përmirësimin e standardeve në fushën e inspektimeve.

Marrëveshja është firmosur nga Kryeinspektori Dashnor Sula dhe Lyra Osmani Ahmeti, të cilët angazhohen për thellimin e bashkëpunimit përmes shkëmbimit të ekspertizës, praktikave më të mira dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje parashikohet harmonizimi i metodologjive dhe praktikave të inspektimit, shkëmbimi i ekspertëve dhe përvojave profesionale, si dhe digjitalizimi dhe modernizimi i proceseve inspektuese.

Bashkëpunimi do të përfshijë gjithashtu organizimin e trajnimeve për zhvillimin e vazhdueshëm profesional, si dhe realizimin e projekteve dhe iniciativave të përbashkëta.

Kjo marrëveshje synon rritjen e efikasitetit, forcimin e standardeve dhe zhvillimin e sistemeve moderne të inspektimit në të dyja vendet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb