Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pas dyshimeve për helmim nga ushqimi, pasi kanë shfaqur simptoma si dhimbje barku dhe të vjella të vazhdueshme.

Sipas raportimit të Top Channel, gjashtë prej fëmijëve po marrin trajtim në repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa një rast tjetër është raportuar gjithashtu se ka kërkuar shërbim mjekësor.


Simptomat janë shfaqur mbrëmjen e kaluar. Ndërkohë, disa prindër kanë konfirmuar se edhe fëmijët e tyre kanë pasur shqetësime të ngjashme, por u kanë ofruar trajtim në shtëpi, transmeton Telegrafi.

Sipas informacioneve, dyshimet janë për helmim të shkaktuar nga ushqimi i konsumuar në kopsht.

Pas paraqitjes së rasteve në spital, është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik, përfaqësuesit e të cilit kanë marrë mostrat për analiza. Rezultatet pritet të përcaktojnë shkakun e problemeve shëndetësore.

Ndërkohë, në ambientet e Pediatrisë janë paraqitur edhe efektivë të Policisë, të cilët janë interesuar për gjendjen e fëmijëve.

Mjekët po përcjellin gjendjen shëndetësore të të miturve, ndërsa shkaku i dyshuar i helmimit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht./TCH/