Erion Veliaj do t’i nënshtrohet një operacioni në këmbën e thyer, konfirmoi për Report Tv avokati i tij, Plarent Ndreca. Avokati tha se Veliaj e kishte njoftuar me telefon se ishte ekzaminuar sot në Spitalin Memorial në Fier, ku mjekët i rekomanduan operacionin.
“Veliaj më tha në telefon se do bëjë operacion për këmbën e thyer. Këmba i është përkeqësuar prej mosekzaminimit në kohë. Veliaj më tha se ka bërë sot ekzaminim në Spitalin Memorial në Fier dhe se doktorët e Memorialit në Fier i rekomanduan operacion të këmbës”, tha avokati Plarent Ndreca për Report Tv.
Një ditë më parë, Ndreca u kërkoi me email Burgjeve që radiografia e këmbës të kryhej urgjentisht, jo më vonë se sot. Në email, avokati shkruante se mjeku, pas vizitës në Spitalin e Burgut, kishte konstatuar probleme me ndjeshmërinë e këmbës dhe kishte vlerësuar se ekzaminimi duhej të ishte kryer shumë ditë më parë.
Emaili i Plarent Ndrecës dërguar Burgut të Fierit dhe për dijeni drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve më 6 nëntor
Pas kërkesave tona të përsëritura për sigurimin e ekzaminimit mjekësor të z. Erion Veliaj, sot, më në fund, në Spitalin e Burgut është paraqitur mjeku Flamur Kadriu, i cili ka ekzaminuar gjendjen e këmbës së klientit tim.
Gjatë vizitës, mjeku ka konstatuar se gjendja shëndetësore kërkon ndërhyrje urgjente dhe se ekzaminimi duhej të ishte kryer shumë ditë më parë. Ai ka evidentuar problematika të ndjeshmërisë së këmbës dhe ka rekomanduar realizimin urgjent të një ekzaminimi radiografik, për të vlerësuar ecurinë e rikuperimit të saj, ndërkohë që klienti im vazhdon të mbajë çizmen ortopedike prej disa javësh.
Në këto rrethana, kërkoj marrjen e menjëhershme të të gjitha masave të nevojshme që ekzaminimi radiografik i rekomanduar nga mjeku të realizohet jo më vonë se dita e nesërme, duke garantuar edhe vlerësimin e mëtejshëm nga mjeku specialist mbi bazën e rezultateve.
Ju bëj të qartë se çdo vonesë e mëtejshme, pavarësisht konstatimeve dhe rekomandimeve të mjekut, do të përbënte një mosveprim për të cilin autoritetet përgjegjëse duhet të japin llogari.
Çdo dëmtim apo përkeqësim i gjendjes shëndetësore të klientit tim, që mund të vijë si pasojë e mosveprimit tuaj, do të ngrejë çështjen e përgjegjësisë personale civile dhe penale të secilit prej autoriteteve që vihet në dijeni të këtij komunikimi dhe që ka kompetencë për të ndërhyrë.
Theksoj se ekzistojnë arsye serioze për të kërkuar shqyrtimin e lidhjes shkakësore ndërmjet gjendjes aktuale shëndetësore të klientit tim dhe veprimeve apo mosveprimeve të deritanishme të autoriteteve përgjegjëse, përfshirë verifikimin nëse vonesat kanë qenë të qëllimshme.
Mos lejoni që vonesat e deritanishme të thellojnë më tej pasojat shëndetësore për klientin tim. Ai gëzon të drejtën e kujdesit shëndetësor në kohë dhe të përshtatshëm, ndërsa ju keni detyrimin ligjor dhe institucional për t’ia garantuar atë.
Pres konfirmimin tuaj të menjëhershëm, me shkrim, për masat e marra dhe orarin e realizimit të ekzaminimit të kërkuar.
Lajmi në përditësim....










Komente
Komento