Një ngjarje tronditëse ka marrë një tjetër zhvillim në Kenia, ku Paul Mackenzie, themeluesi i kishës “Good News International Church”, është dënuar me 200 vite burg për vdekjen e 191 personave, shumica dërrmuese e të cilëve ishin fëmijë.
Sipas hetimeve, Mackenzie kishte bindur ndjekësit e tij se fundi i botës do të vinte në gusht të vitit 2023 dhe se e vetmja mënyrë për të arritur në parajsë ishte të agjëronin deri në vdekje.
Përmes predikimeve me përmbajtje apokaliptike, ai kishte krijuar një plan makabër, sipas të cilit fillimisht duhej të vdisnin fëmijët, më pas të rinjtë dhe gratë, ndërsa burrat do të qëndronin gjallë për të varrosur trupat e tyre, përpara se të vdisnin edhe vetë.
Vendimi u shpall nga Gjykata e Lartë në Mombasa. Mackenzie u dënua me 100 vite burg për vdekjet e shkaktuara nga uria dhe 100 vite të tjera për personat që u vranë drejtpërdrejt.
Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtarja Diana Kavedza shpjegoi se kishte vendosur të mos jepte dënimin me vdekje, pasi një masë e tillë mund të përforconte bindjen e të dënuarve se vdekja do t’i bashkonte me Jezu Krishtin, në vend që të shërbente si ndëshkim për krimet e tyre.
Ajo theksoi gjithashtu se mbajtja e tyre në burg mund t’i ndihmojë autoritetet të zbulojnë vendndodhjen e eshtrave të fëmijëve që ende rezultojnë të zhdukur.
Bilanci i viktimave është tragjik. Nga 191 personat e përfshirë në çështje, 161 ishin fëmijë deri në moshën 9 vjeç, 22 ishin nga 10 deri në 13 vjeç, ndërsa pesë të tjerë nga 14 deri në 16 vjeç. Për dy viktima nuk u arrit të përcaktohej mosha.
Sipas gjyqtares, 183 persona humbën jetën nga uria, mes tyre 182 fëmijë dhe një i rritur. Tetë viktimat e tjera, të gjithë fëmijë, u mbytën ose u rrahën për vdekje.
Hetimet zbuluan se Mackenzie kishte bindur ndjekësit e tij të braktisnin shtëpitë dhe të vendoseshin në pyllin Shakahola, në lindje të Kenias. Ai u kishte premtuar se agjërimi në atë vend do t’i afronte me Zotin dhe do t’u garantonte hyrjen në parajsë.
Për ta zbatuar këtë plan, anëtarët e sektit mbaheshin nën kontroll të rreptë. Rojet monitoronin lëvizjet e tyre dhe nuk i lejonin të largoheshin nga pylli. Ata që kundërshtonin detyroheshin të bindeshin, ndërsa fëmijët lidheshin, privoheshin nga ushqimi dhe ndëshkoheshin nëse përpiqeshin të hanin apo të arratiseshin.
Gjatë procesit gjyqësor, të mbijetuarit dëshmuan se vdekjet në pyll festoheshin si “dasma me Jezusin”, ndërsa personat që humbnin jetën konsideroheshin “heronj të besimit”.
Autoritetet keniane nisën gërmimet në pyllin Shakahola në prill të vitit 2023, pas raportimeve për vdekjen e ndjekësve të sektit. Deri më tani janë zbuluar më shumë se 400 trupa, ndërsa çështja për të cilën u dha vendimi përfshin 191 viktima. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e ngritjes së akuzave të tjera.
Gjyqtarja vuri në dukje se shumica e të dënuarve nuk kishin shfaqur pendesë për veprimet e tyre. Ndërkohë, gjatë seancës së shpalljes së vendimit, Mackenzie u pa disa herë duke buzëqeshur.
Një prej rasteve më tronditëse të abuzimit me besimin fetar, ku premtimi për parajsën u kthye në një tragjedi me qindra viktima.


