Aktualitet Rajoni

Atentati në Athinë, shqiptari i plagosur ishte në kërkim!

Policia greke identifikoi shqiptarin e plagosur mbrëmë në Athinë, si dhe prangosi dy të mitur. I lënduar mbeti shtetasi Helis Cato, 38 vjec, banues në lagjen nr.1 të Sarandës.

Ai rezultonte në kërkim nga Greqia, pas goditjes së një grupi kriminal të tregtimit të kokainës në qershor të këtij viti, në një operacion ku u sekuestruan edhe armë zjarri ndërsa u arrestuan 9 persona, shumica shqiptarë.

Sa i përket të miturve të prangosur një natë më parë, bëhet fjalë për një shqiptar dhe një grek, të dy nga 16 vjeç. Adoleshentët ishin në shoqërinë e Catos kur ai u qëllua dhe tentuan të largoheshin, por pa sukses.

Mbetet e paqartë se kush tentoi ta vriste pranë kishës, në lagjen “Kolono” të Athinës. I goditur me një plumb, 38 vjeçari arriti të shkonte drejt mjetit të tij, të parkuar rreth 150 metra më larg, ku dhe u gjet nga policia. Raportohet se është në gjendje të rëndë në spital.