Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, deklaroi se të dhënat e tij personale janë publikuar në “dark web” nga hakerë pro-rusë. Ai theksoi se ky veprim lidhet drejtpërdrejt me mbështetjen që qeveria italiane i ka dhënë Ukrainës.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, një nga mbështetëset më të fuqishme të Ukrainës mes liderëve perëndimorë, shprehu mbështetjen e saj për Tajanin dhe deklaroi se shitja e informacioneve konfidenciale që lidhen me zyrtarët publikë është një çështje me shqetësim të serioz.
Moska nuk ka bërë asnjë koment për incidentin, ndërsa Rusia ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në sulme kibernetike apo operacione hakerimi jashtë vendit.
Tajani, i cili mban gjithashtu postin e zëvendëskryeministrit, shkroi në platformën X se mbështetja transparente për lirinë dhe pavarësinë e një shteti sovran e ka bërë atë një shënjestër.
Ai shtoi se hakerat po kërkojnë informacione të mëtejshme për të dhe familjen e tij dhe se janë të gatshëm të paguajnë për to.
Sipas tij, sulmet erdhën edhe si reagim ndaj përpjekjeve të ministrisë së tij për të fuqizuar sigurinë kibernetike.
Pamjet e siguruara nga Reuters treguan fotografinë e Tajanit mes një liste me 18 “qytetarë armiqësorë ndaj Federatës Ruse”, ku përfshiheshin edhe ekspertë të sigurisë kibernetike. Materiali u zbulua në një seksion të “dark web” i qasshëm përmes rrjetit Tor, gjatë aktiviteteve monitoruese të kryera nga autoritetet e sigurisë kibernetike. Burime afër ministrit bën me dije se hetimet për këtë ngjarje po vazhdojnë.










