U luajtën dy ndeshje të javës së 11-të të Superiores. Partizani mori një fitore tepër të çmuar në një fushë të vështirë si ajo e kurbinasve, ndërsa Tirana triumfoi minimalisht ndaj “djemve të detit”. Për të kuqtë, “heroi” ishte Sebastjan Spahiu, i cili shënoi me penallti në minutën e 19-të.
Pjesa më pas e ndeshjes pati ngulmimin e Laçit për të reaguar, por në rezultat nuk ndryshoi asgjë. Tri pikë të çmuara për Partizanin, që tashmë nis të japë “shenja jete” dhe të synojë largi9min nga vendi i fundit. Kurbinasit pozicionohen të tetët në klasifikimin aktual, me 11 pikë.
Tirana, nga ana tjetër, iu fal golit të vonë të Daci, në minutën e 87-të. Vlen të përmendet se më herët, bardheblutë shpërdoruan një rast të artë për të kaluar në avantazh, nga pika e bardhë. Tomislav Kis nuk u tregua i saktë nga penalltia.
Me këtro tri pikë, Tirana ngjitet përkohësisht në vendin e katërt, me 15 pikë, në pritje të zhvillimit të ndeshjeve të tjera të kësaj jave. Teuta mbetet e dyta me 20 pikë, por mund të barazohet nga Dinamo City nëse fiton ndeshjen e saj ndaj Skënderbeut në këtë “stacion” të garës.







