Sport

Dy fitore radhazi dhe shpresë për ringritje, Partizani merr tri pikë edhe në Kurbin

Pas suksesit në Durrës ndaj Teutës, të kuqtë konfirmojnë momentin pozitiv edhe në transfertë, duke mposhtur Laçin me rezultatin minimal 1-0 në javën e 11-të të Superiores.

Partizani ka regjistruar një tjetër fitore në kampionat, duke marrë tri pikë të rëndësishme në transfertën ndaj Laçit. Pas triumfit të bujshëm në Durrës përballë Teutës, skuadra e kuqe ka bërë detyrën edhe në Kurbin, duke u imponuar me rezultatin 1-0.

Heroi i kryeqytetasve ishte Sebastjan Spahiu, i cili realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 19-të. Mesfushori, i afruar me pritshmëri të mëdha te Partizani, po fillon të japë kontributin e tij, teksa ishte pikërisht ai që fitoi edhe 11-metërshin nga ku erdhi goli. Në pjesën e dytë, Laçi u hodh më shumë në sulm dhe kërkoi me ngulm barazimin, por kurbinasit nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës. Partizani administroi avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare, duke siguruar tri pikët e radhës.

Me këtë fitore, të kuqtë ngjiten në kuotën e 10 pikëve, duke mbetur në vendin e parafundit të renditjes, ndërsa Laçi qëndron me 11 pikë. Dy fitore radhazi japin sinjale pozitive për skuadrën kryeqytetase, që kërkon të largohet nga zona e fundit e klasifikimit.