Pesë persona kanë humbur jetën dhe rreth 10 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas të shtënave me armë zjarri në Sheshin Kryesor të Tregut në qytetin e Krakovës, në Poloni. Mes të plagosurve raportohet se ka edhe efektivë policie.
Sipas Policisë së Małopolska-s, ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, kur një person, i cili kishte hyrë me automjet në shesh, hapi zjarr ndaj personave të rastësishëm.
Efektivët e policisë ndërhynë menjëherë për neutralizimin e autorit të dyshuar, duke e qëlluar me armë zjarri. Ai u plagos dhe u transportua drejt spitalit.
Siç raporton BBC, pas ngjarjes në zonë u angazhuan forca të shumta policie dhe shërbime të emergjencës, të cilat ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë viktimave dhe për të siguruar perimetrin.
Edhe Bashkia e Krakovës konfirmoi përmes një njoftimi në rrjetet sociale se të shtënat ndodhën në Sheshin Kryesor të Tregut. Ndërkohë, policia po zhvillon një operacion edhe në rrugën Dietla.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën deri në përfundimin e operacionit policor.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë, si dhe motivet që çuan autorin e dyshuar në hapjen e zjarrit.


