Një sulm me armë zjarri ka shkaktuar panik në qytetin e Krakovës, në Poloni, ku pesë persona raportohet se kanë humbur jetën dhe rreth dhjetë të tjerë kanë mbetur të plagosur, përfshirë edhe efektivë të policisë.

Sipas informacioneve të publikuara nga Policia e rajonit Małopolska, incidenti ka ndodhur rreth orës 15:00 në Sheshin Kryesor të Tregut, një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.

Nga të dhënat paraprake, një person ka hyrë me automjet në shesh dhe më pas ka hapur zjarr në drejtim të qytetarëve që ndodheshin aty.

Forcat e rendit kanë ndërhyrë për të neutralizuar agresorin, i cili është plagosur nga të shtënat e policisë dhe është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Siç raporton BBC, ngjarja ka vënë në lëvizje një numër të madh patrullash policore dhe ekipesh të emergjencës, të cilat kanë ndërhyrë për të asistuar të plagosurit dhe për të vendosur nën kontroll situatën.

Ndërkohë, autoritetet vendore të Krakovës kanë konfirmuar përmes një njoftimi publik se incidenti është regjistruar në Sheshin Kryesor të Tregut. Paralelisht, policia ka ndërmarrë një tjetër operacion në rrugën Dietla, pa dhënë ende hollësi mbi lidhjen e mundshme mes dy ndërhyrjeve.

Qytetarëve u është kërkuar të qëndrojnë larg zonave të prekura, ndërsa forcat e sigurisë vijojnë kontrollet.

Ende nuk ka informacione zyrtare mbi motivet e sulmit. Autoritetet po punojnë për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe rrethanat që çuan në këtë tragjedi.