Tre ekipe kirurgësh shqiptarë kanë realizuar njëkohësisht tri ndërhyrje të ndërlikuara në arteriet karotide në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Operacionet u kryen drejtpërdrejt (live) për afro dy orë, në prani virtuale të dhjetëra specialistëve europianë, të cilët po merrnin pjesë në një kongres ndërkombëtar në kryeqytet.
Ndërhyrjet u zhvilluan në tri salla të ndërtesës së re të kirurgjisë kardiovaskulare, e inauguruar një muaj më parë. Bëhej fjalë për pacientë me ngushtime kritike të arterieve karotide, të cilat furnizojnë trurin me gjak dhe që, nëse nuk trajtohen, mund të shkaktojnë ishemi cerebrale, invaliditet të përhershëm apo edhe humbje jete.
Operacionet u realizuan nga tre ekipe mjekësore. Ndërhyrjen e parë e kryen profesor Sokol Xhepa dhe doktor Frenki Vila, të dytën profesor Edmond Nuellari dhe doktoresha Marsela Sopiqoti, ndërsa të tretën doktor Petrika Gjergo dhe doktor Denis Kosovrasti.
Një nga veçoritë e këtij demonstrimi ishte përdorimi i tri metodave të ndryshme të anestezisë për të njëjtën ndërhyrje kirurgjikale: anestezisë së përgjithshme, asaj intravenoze dhe anestezisë lokale. Zgjedhja u bë në varësi të veçorive dhe gjendjes së secilit pacient.
Sipas mjekëve, bëhet fjalë për operacione veçanërisht delikate, që kërkojnë saktësi milimetrike për shkak të hapësirës së kufizuar ku ndërhyhet dhe rrezikut të dëmtimit të strukturave të rëndësishme. Të tre pacientët patën ecuri pozitive gjatë dhe pas ndërhyrjeve.
Operacionet u ndoqën nga dhjetëra specialistë europianë, pjesëmarrës në kongresin Connect të Shoqatës Europiane të Anestezisë dhe Reanimacionit, i organizuar në Tiranë nga Shoqata Shqiptare e Anestezistëve dhe Reanimatorëve.
Kongresi drejtohet nga profesor Saimir Kuçi, president i shoqatës shqiptare të këtij specialiteti. Organizimi i tij në Shqipëri konsiderohet një ngjarje e rëndësishme për komunitetin mjekësor, pasi bëhet fjalë për kongresin e dytë më të madh të shoqatës europiane dhe herën e parë që ai zhvillohet në një vend të vogël si Shqipëria.


