Ben Andoni

Tandemi Rama-Berisha do jetë një objekt i vazhdueshëm studimesh për njerëzit e komunikimit dhe mbase në të ardhmen edhe për studiuesit e filozofisë politike. Të aftë për të thënë të kundërtën e asaj që shihet hapur dhe zhvillohet rëndom në vendin tonë, të pamundur për t’u dorëhequr edhe kur morali nuk u tregon rrugë shpëtimi, ata drejtojnë vendin tonë në pozitë dhe opozitë të pa shqetësuar nga asgjë.

Me një ligj anemik partish dhe me fuqinë e madhe të Marrëveshjes së vitit 2008, tandemi qëndron i plotfuqishëm dhe tejet efikas para çdo lloj sfide. E fundit është ajo që ndodhi me “Revolucionin e Flamingove”, kanalizuar tashmë me Revoltën e Studentëve, ku tandemi jo vetëm ua mori protestën, por tashmë u dirigjon dhe rregullat e komunikimit.

Shkak për këtë shkrim ishte hasja në panairin ndërkombëtar të një shteti fqinj, të një libri bazik me titullin “Etnografia e komunikimit”, shkruar nga Dell Hymes. Me shfletimin e tij kupton se pse koncepti i përmbledhur në këtë togfjalësh është një nga më të arrirët për të kuptuar politikën e sotme shqiptare, pasi ajo nuk bëhet vetëm me aktet dhe nga rezultatet e zgjedhjeve tona apo me ligjet që prodhohen, por bëhet edhe me mënyrën sesi politika flet.

Konceptin e ndërtoi një polimath i vërtetë. Haimz (Dell Hathaway Hymes) është i fiksuar në biografitë ndërkombëtare si gjuhëtar, sociolinguist, antropolog dhe folklorist. Merita e tij është se hodhi për herë të parë themelet disiplinore për studimin krahasues e etnografik të përdorimit të gjuhës. Hulumtimet e tij patën si bazë fenomenet e vërejtura te gjuhët e rajonit të Paqësorit Veriperëndimor. Për t’i dhënë pak kontekst kohës, sot, studiuesit thonë se ideja erdhi si sfidë ndaj Chomsky-it që barazonte gjuhën me gramatikën, pra nëse kishe njohuri të mirë të saj, njeriu kishte aftësi të mësonte gjuhë. Paçka kundërshtimeve, është e vërtetë se baza e punës së një poligloti është pikërisht përballja fillestare me gramatikën dhe pastaj shkuarja tek gjuha. Haimz, në këtë kontekst, argumentoi se njohja e gramatikës nuk mjafton. Duhet të dish dhe të kuptosh qartë konceptin e asaj që ai e emëroi si kompetenca komunikative. Pra, duhet të dish se KUR, KU, ME KË, SI dhe PËR ÇFARË duhet të flasësh. Me pak fjalë, etnografia e komunikimit studion se jo çfarë thuhet, por si, kush, ku, dhe çfarë nënkupton fjala në një moment të caktuar. Falë Etnografisë së Komunikimit, dikush kupton shumë mirë sesa e kanë përsosur Rama dhe Berisha artin e tyre të komunikimit, pasi ai shkon gjithnjë sipas interesave të tyre dhe nuk i merr fare parasysh normat morale që kufizojnë, kërkojnë apo që shprehin kufij etikë. Para se të funksiononte parlamenti shqiptar në vitet ’20, shqiptari e bënte politikën e vet në Odë dhe në Kuvendet e Burrave. Një tufë ligjesh të sanksionuara në Kanun por edhe në kujtesën popullore caktonte rend kanonik fjale. Prioritet ishte i pari i Fisit; shpesh përfaqësuesi i parë i një Familje që kishte Bajrak; fliste Miku dhe ai që kërkonte apo që jepte besë. Kaq i kanonizuar ishte rendi, saqë shmangja nga rregulli të bënte të penalizoheshe rëndë: Më së shumti me Turpin (Parimi për ruajtjen e nderit). Sot, kodi etnografik në politikën tonë e kryeson primati i PS-së ose PD-së, pasi është ai që ka prioritet në parlament, studio dhe kudo (Shpesh zgjedhin dhe të ftuarit). Ndërkohë në parlamentin tonë, abuzohet ende me fjalën e dhënë por jo me dokumentin e programit, kontratën bazë që u kërkohet politikanëve. Besa (edhe pse përdoret lodhshëm), sot, ka dalë në plan të dytë sepse sistemi bën që politikanët ta hanë rëndom fjalën e tyre, ajo që dikur ishte e shenjtë, kur s’kishte institucione.

Veçmas, në kulturën shqiptare, sidomos në Veri dhe në Jug, por më shumë në zonën e Labërisë, kritika e drejtpërdrejtë dhe sidomos e adresuar konsiderohet si fyese. Kjo bëri që ish deputeti i PS-së Mazreku e qëlloi në parlament në vitin 1997 të ndjerin Azem Hajdari!! Shpullat, ofendimet rrahjet e politikanëve janë zakonshmëri. Prej vitesh, pas ashpërsisë së gjuhës tani flitet rëndom me stigmatizime, anektoda fshati, metafora, simbolizma që zakonisht e kanë një emërues të përbashkët “e kupton ti se për kë e kam”. Po Berisha dhe disa herë Rama nuk falin dhe me emra direkt veç epiteteve fyese. Në masë jo të vogël ky është argëtim kombëtar, por për studiuesin e huaj dhe vendas, kjo quhet fyese. Nuk po përmendim median, ku lufta bëhet për zërin më të lartë ( lartësia e valës zanore), kush shan rëndom spiun apo tradhtar dhe kush do të thotë batutën e fundit. Kësaj i shtohet edhe një fenomen: Disa politikanë shkojnë me batutat gati në mënyrë që t’i shërbejnë të gatshëm reels-ave të prodhuar enkas për platformat sociale. Rama dhe Berisha janë mjeshtër të këtij fenomeni dhe ndaj kanë mbulimet më të mëdha. Ky është problemi që hasin ata që e shikojnë nga jashtë politikën tonë. Duan të gjykojnë programet, por ne bindshëm votojmë për mënyrën e të folurit Rama dhe Berisha! Njësoj veprojnë kryetarët respektivë të grupeve parlamentare, Balla dhe Bardhi dhe deputetët e tjerë. Dy mjeshtërit e tandemit shqiptar e kanë kuptuar më së miri fabulën, atë që Etnografia e komunikimit, e shpjegon qartë: Në Shqipërinë tonë nuk respektohet dhe fiton ai që ka të drejtë me programin, përkundrazi, ia del ai që të thotë si i pëlqen fjala publikut tonë, ku dhe cili auditor do ta dëgjojë dhe, para kujt do ta thotë.

Kryeministri Rama duke shfrytëzuar revoltën e studentëve kur mori përgjigje negative për një vend dialogu dhe mënyrën e përfaqësimit (kërkesa e studentëve është dorëheqja e tij) e zhvendosi dialogun jashtë, mu përpara Kryeministrisë. Në karriget e nxjerra nga institucioni vendosi etiketën “Dialog”. Në modelin e komunikimit etnografik, “u ul” ai dhe u tha studentëve: Po ju pres në mjedisin tuaj, Bulevardin! Simbolika shkoi dhe më tej, kur vendosi vetë etiketat, pa lënë shpotitë për pedagogët dhe duke u dhënë një lloj garancie (!), ndërkohë që hartoi një listë që e drithmoi protestën për dënimet e ashpra dhe që ishte krejt asimetrike. Studentët u kapën në befasi dhe bënë më të thjeshtën: Përmbysën karriget dhe i thyen, kurse Rama korri fitoren e tipit komunikativ: Unë jam për dialog, ata janë të dhunshëm!!

Berisha bëri diçka më finoke në etnografinë komunikuese, e cila i shkonte pozitës së tij. Nuk mund të dilte në krye të protestës sepse protestuesit e refuzonin njësoj si Ramën, por përkrahu familjen e tij me pedagogët duke e mbështetur nga jashtë. Me grupin e tij parlamentar ( të bindurit) e vazhduan kauzën “e tyre” në parlament. Qysh nga konferencat e tij të shtypit, e kanalizoi atë nga “protestë studentore” në “protestë për qeveri teknike”. E kapi protestën, bash në mes të rrugës dhe tashmë e menaxhon me masën. Nuk mund të thuhet indirekt se s’ka një farë dialogu, por ama nuk ka gjuhë të përbashkët se për çfarë po bëhet dialogu. Përfundimi i Raportit të Progresit të KE-së (5 nëntor) e shprehu më qartë: “Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u përfshirë në një dialog konstruktiv.”

Sot, që njerëzit janë disi më të qetë dhe studiuesit kanë bazën e parë të elementeve të gjykimit nga pikëpamja e shkencës politike, tandemi Rama & Berisha po e përdorin “dialogun” si mjet, jo si qëllim. Rama e kërkoi dialogun vetëm pasi plasi protesta që kërkon dorëheqjen e tij dhe që ai e kundërshton. Por, me norma: Dialogu bëhet kur nuk ke presion, kurse dorëheqja që i kërkohet, ai i jep përgjigje me një listë të zezë. Etnografia e komunikimit e fut këtë në atë që njihet si dual persuasion: jep dy mesazhe kontradiktore njëkohësisht, pra çfarëdo që bëjnë studentët, mbeten fajtorë! E nëse ata afrohen: U bindesh rregullave të tij. Nëse nuk vjen: Je “i dhunshëm”. Berisha, nga ana tjetër ka një gjë të vockël, por të madhe në thelb: Ai i mbështeti “Flamingot” jo kur protesta ishte e vogël dhe po ngrihej (kërkohej në kor njësoj ikja e tij), por kur shtypi ndërkombëtar e vendosi në qendër të argumenteve dhe kronikave të veta. Kërkesat studentore i shndërroi në kërkesa mirëfilli të tij. Studentët kërkojnë kushte konviktesh, bursa, tarifa, kushte etj. Berisha kërkon veç këtyre, kryesoren që i duhet: Qeveri Teknike dhe largimin e Ramës. Me pak fjalë, hyri ngadalë nga dera e pasme si “përkrahës” dhe, po tenton të dalë nga dera e përparme si përfitues. Tashmë kaosin e ushqejnë dy dialogë paralelë që nuk mund t’takohen kurrë: ai i Ramës me karriget bosh dhe, ai i Berishës me protestën e kapur. Dhe? Etnografia e komunikimit na ndih t’i kuptojmë si duhet këta njerëz, të paktën në këtë moment. (Homo Albanicus)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb