Komunizmi fshiu trashëgiminë, mbi 2 mijë objekte kulti u zhdukën, studiuesit zbulojnë urdhrat për shkatërrim

07/11/2026 18:07

Tirana dhe qytetet e tjera të Shqipërisë pësuan transformime të thella urbane dhe arkitekturore gjatë periudhës 1944–1990. Përveç ndryshimeve në strukturën e qyteteve, një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore dhe fetare u shkatërrua, si pasojë e politikave ideologjike të regjimit komunist.

Kjo ishte në fokus të një tryeze diskutimi të organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, ku studiues dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore sollën dëshmi dhe dokumente mbi shkatërrimin, tjetërsimin dhe zhdukjen e monumenteve të kulturës.

Studiuesi Dr. Leka Ndoja solli në vëmendje edhe dëshminë e studiuesit britanik Nicholas Hammond, i cili kishte vizituar Shqipërinë në vitet 1933–1937 dhe ishte rikthyer në vitin 1973, duke konstatuar ndryshimet e mëdha që kishte pësuar vendi.

“Nicholas Hammond, i cili e kishte vizituar Shqipërinë në vitet 1933–1937, u rikthye edhe në vitin 1973. Kur erdhi, tha: ‘Unë nuk e njoha më Shqipërinë, kishte ndryshuar komplet’”, u shpreh Ndoja.

Një nga periudhat më të errëta për trashëgiminë fetare ishte viti 1967, kur regjimi komunist shpalli Shqipërinë shtet ateist. Sipas të dhënave të paraqitura gjatë diskutimit, pas kësaj periudhe u shkatërruan ose u zhdukën mbi 2 mijë objekte kulti.

Prof. Dr. Piro Thomo vuri në dukje kontradiktën mes propagandës zyrtare për mbrojtjen e monumenteve dhe vendimeve të pushtetit për shkatërrimin e tyre.

“Nga njëra anë, mbizotëronte një propagandë e shfrenuar për mbrojtjen e monumenteve. Nga ana tjetër, ndeshemi me urdhra për prishjen e monumenteve. Kulmi i falsitetit të kësaj propagande ishte viti i mbrapshtë 1967, kur pushteti komunist, në mënyrën më brutale, e pengoi popullin nga besimi i lirë”, deklaroi Thomo.

Sipas tij, në atë periudhë diskutohej edhe reduktimi i numrit të monumenteve të kulturës me rreth 70 për qind, duke sjellë zhdukjen e një pjese të rëndësishme të trashëgimisë historike dhe fetare të vendit.

“Numri i monumenteve diskutohej të shkurtohej në masën 70 për qind. Kjo ishte zhdukje e një kulture. Xhamia e Kavajës ishte një nga viktimat e para”, u shpreh ai.

Qindra kisha, xhami dhe teqe u shkatërruan, ndërsa disa monumente të tjera arritën të shpëtoheshin falë ndërhyrjes së Institutit të Monumenteve të Kulturës, i cili në atë periudhë drejtohej nga Gani Strazimiri.

Prof. Dr. Piro Thomo solli edhe rastin e Xhamisë së Beqarit, e cila ishte në rrezik shkatërrimi pas një urdhri të dhënë nga drejtuesit lokalë të Partisë së Punës.

“Sekretari i parë i rrethit kishte dhënë urdhër të prishej Xhamia e Beqarit, duke e quajtur ‘xhamia e pederastëve’. Drejtori i Monumenteve, Gani Strazimiri, e kundërshtoi këtë gjë”, rrëfeu Thomo.

Ndërkohë, drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Dr. Çelo Hoxha, përmendi edhe rastin e kishës së Vaut të Dejës, e cila u hodh në erë, duke theksuar qëndrimin e guximshëm të Institutit të Monumenteve të Kulturës në kundërshtim me vendimet e pushtetit.

“Për kishën e Vaut të Dejës, që është hedhur në erë, Instituti i Monumenteve ka bërë një kallëzim penal dhe kjo tregon një qëndresë shumë të guximshme të këtij institucioni. Ishte kurajë shumë e madhe, sepse nuk rrezikohej thjesht vendi i punës, por jeta”, deklaroi Hoxha.

Një tjetër monument që arriti të shpëtohej nga shkatërrimi ishte Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë. Studiuesi Piro Thomo kujtoi përballjen mes Gani Strazimirit dhe sekretarit të parë të Tiranës, i cili kishte kërkuar prishjen e saj.

“Xhamia e Et’hem Beut. Strazimiri takon sekretarin e parë të Tiranës, i cili i thotë: ‘Këtë xhami do ta prishim’. Dhe Strazimiri, pa hezitim, ia kthen: ‘Këtë xhami nuk e prish as ti, as Perëndia vetë’”, tregoi Thomo.

Duke iu referuar dokumenteve arkivore, studiuesit theksuan se reduktimi i objekteve të kultit gjatë regjimit komunist ishte drastik. Sipas listave të hartuara nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në vitin 1966, në veri të vendit kishin mbetur vetëm 6.5 për qind e objekteve të kultit të trashëguara, ndërsa në jug vetëm 10 për qind.

Dokumentet dhe dëshmitë e paraqitura në tryezë sollën në vëmendje jo vetëm përmasat e shkatërrimit të trashëgimisë fetare, por edhe përpjekjet e profesionistëve që, pavarësisht presionit të regjimit, u angazhuan për të shpëtuar monumente me vlera të rëndësishme historike dhe kulturore.

Top Channel