
Një minator humbi jetën të shtunën pas një aksidenti në punë në njërën prej galerive private të kromit në zonën e Batrës në Martanesh.
Sipas një komunikate paraprake të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, viktima është identifikuar si Gëzim Muça, 62 vjeç, banues në Klos. Ngjarja e rëndë ndodhi teksa Muça po punonte në nëntokë, kur një masiv gurësh u shkëput nga tavani i galerisë dhe e zuri poshtë, duke i shkaktuar dëmtime fatale.
Kolegët e viktimës që ndodheshin në galeri në momentin e shembjes njoftuan menjëherë policinë dhe urgjencën e spitalit të Bulqizës. Megjithatë, sipas të dhënave paraprake, ekipi mjekësor konstatoi se minatori kishte ndërruar jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra.
Grupi hetimor dhe policia kanë nisur hetimet në vendngjarje për të dokumentuar shkaqet e shembjes dhe për të verifikuar nëse janë respektuar protokollet e sigurisë teknike në subjektin minerar ku ndodhi tragjedia.
Vdekja e Muçës i shtohet bilancit të rëndë të aksidenteve me pasojë jetën në sektorin minerar në Shqipëri, veçanërisht në basenin e Bulqizës, Klosit dhe Martaneshit. Ky është aksidenti i tretë me humbje jete në punë gjatë kësaj jave. Dy elektriçistë humbën jetën në aksidente të ndryahme në Vlorë dhe në Dibër.
Sipas të dhënave të Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, sektori i minierave, ai i ndërtimit dhe energjitikës mbeten ndër më vdekjeprurësit në vend për punëtorët. Dhjetëra minatorë kanë humbur jetën ose janë plagosur rëndë gjatë dekadës së fundit në galeritë e kromit.






